EKSKLUZIVE / Dokumentet sekrete, dy oficerë shqiptarë stërvisin ukrainasit kundër rusëve (Foto)

EKSKLUZIVE NGA ALBEU.COM/ Dy oficerë të ushtrisë shqiptare do të marrin pjesë në trajnimin e ushtarëve ukrainas në zonat ku janë duke luftuar me separatistët pro rusë në lindje të Ukrainës.

Lajmi nuk është dhëna zyrtarisht nga autoritetet ushtarake shqiptare por është nxjerrë nga dokumente sekrete të vjedhura ilegalisht nga një grup hakerash pro rusë të quajtur “Cyber Merkut”. Dokumentet thuhet se janë vjedhur nga Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës, raporton Portali Albeu.

Në listën e publikuar nga hakerat pro rusë shihet lista me 58 emra oficerësh nga vende të NATO-s si SHBA, Spanja, Estonia, Turqia, Hungaria, Portugalia, Shqipëria etj., të cilët kanë shkuar dhe do të shkojnë në Ukrainë për të stërvitur ushtarët ukrainas ndërmjet datave 12 prill dhe 6 maj të këtij viti.

Përveç emrave, hakerat kanë marrë edhe datat e mbërritjes së secilit prej tyre, kompaninë ajrore me të cilën do të udhëtojnë si edhe orën e mbërritjes së avionit në Kiev.

Albeu.com posedon emrat e dy ushtarakëve shqiptarë që do të shkojnë në Ukrainë për në këtë mision të NATO-s por rezervohet në publikimin e tyre për të mos kompromentuar misionin por edhe për të mos rrezikuar ushtarakët.

Lista me emrat e ushtarakëve është publikuar në faqen e hakerave pro rusë dhe tashmë po shpërndahet edhe në faqet rusë, ndërsa nuk mund të mos merret me mend se ajo ka mbërritur tashmë edhe në duart e rrebelëve dhe organeve të sigurisë ruse, të cilët sipas NATO-s mbështesin kryengritjen në Ukrainën lindore.

Grupi i hakerave “Cyber Merkut” kanë vjedhur edhe më parë dokumente të NATO-s dhe SHBA-ve, të cilët flisnin për mbështetjen me armë të qeverisë Ukrainase. /albeu.com/
Shtuar më 14/04/2015, ora 19:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori