Aksident i dyfishtë, shqiptari shtypet për vdekje në sy të gruas dhe vajzës së mitur

Një aksident tragjik ka ndodhur në Itali ditën e sotme, ku një shqiptar, i cili po futej në makinën e tij është shtypur për vdekje nga një mjet tjetër.

Aksidenti ka ndodhur në momentin që viktima Ndriçim Gjuzi, 49 vjeçar, doli nga makina për të kontrolluar dëmtimin e mjetit të tij pas një përplasjeje nga ana e pasme që ndodhi rreth mesnatës së Pashkëve, në autostradën A9 Lainate-Como-Chiasso, në seksionin Gerenzano.

Pasi po shikonin dëmet nga aksidenti, dy drejtuesit kishin vendosur të hipnin përsëri në makina dhe të lëviznin në korsinë e emergjencës, për ti dhënë zgjidhje.

Në atë moment Gjuzi është përplasur nga një makinë e tretë, e cila ka mbërritur në atë moment, duke e lënë të vrarë në çast para syve të partneres dhe fëmijës.

49- vjeçari, me origjinë shqiptare, banues në zonën e Salernos, ishte nisur drejt Milanos dhe udhëtonte me të shoqen 41-vjeçare dhe vajzën 4-vjeçare në momentin e përplasjes.

Policia rrugore e koordinuar nga Prokuroria Publike Busto Arsizio. P.P. po punon për zbardhjen e ngjarjes./albeu.com