Doganat nga sot udhëhiqen nga shqiptarët
Albeu.com
Shërbimi Doganor i UNMIK-ut nga sot edhe zyrtarisht ka kaluar në përgjegjësi të institucioneve vendore, me zyrtarizimin e drejtorit për përgjithshëm të Shërbimit Doganor të UNMIK-ut, të herë të parë vendës, Naim Huruglicës.Në këtë post Huruglica qe emëruar muajin e kaluar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, Joakim Ryker, post ky të cilin e ka ushtruar deri më tani Peter Ëalker. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, tha se bartja e kompetencave nga UNMIK-u te kosovarët tregon faktin se institucionet vendore gradualisht po marrin kompetencat e nevojshme për të udhëhequr Kosovën në të gjitha nivelet. Ai tha se Shërbimit Doganor me bartjen e përgjegjëisve tek institucionet vendore, po i shtohen kapacitetet për të vazhduar luftën kundër dukurive negative. Ndërkaq, zëvendësshefi i UNMIK-ut, Stiven Shuk, tha se 567 punëtorë të doganave dhe drejtori i ri i tyre, po udhëheqin dhe po punojnë në një institucion, i cili rreth 90 për qind është i ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare. Ndërsa, shefi i shtyllës IV të UNMIK-ut, Pol Akda, shprehu besimin e tij se SHDK-ja me personelin dhe udhëheqjen e saj, do të arrijë të plotësojë standartet më të larta ndërkombëtare të punës. Naim Huruglica, drejtori i ri i SHDK-së, tha se personeli që do ta udhëheq është i përgatitur profesionalisht që të përballet me sfidat që do t'i dalin këtij Shërbimi në të ardhmen. Ndërsa, ish-drejtori i Shërbimit Doganor, Pitër Uoker, do të punojë si këshilltar i drejtorit gjeneral deri në fund të misionit të UNMIK-ut. Procesi i kosovarizimit të doganave ka filluar para tri viteve. Drejtori i tanishëm, Naim Huruglica, është 34 vjeçar, me profesion është ekonomist dhe për më shumë se shtatë vite punon në Shërbimin Doganor të UNMIK-ut. qik
Shtuar më 03/04/2007, ora 16:01
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori