Doda i kundërpërgjigjet Abdiut: Mbeturinë politike e së kaluarës
Mesila Doda i është rikthyer sërish çështjes së hapjes së dosjeve, ndërsa i është kundërpërgjigjur edhe Fehmi Abdiut, duke i rikujtuar që të ketë kujdes me komentet. Deputetja demokrate ka sulmuar ashpër Fehmi Abdiun, duke e cilësuar si një mbeturinë politike.

“Kam dëgjuar 2 eksponentë, njëri i qeverisë së vjetër dhe tjetri i qeverisë së sotme. Veliaj ka deklaruar se drafti i sjellë përmban nuanca antikushtetuese. Dua t’i them se nuk është ai gjykata dhe nuk duhet të marrë prerogativat e drejtësisë, as ato të parlamentit.

Ndaj duhet të shohë mirë si funksionon sistemi demokratik. E fundit është për një nga mbeturinat politike të së kaluarës, siç është Fehmi Abdiu. I rikërkoj të ketë më shumë edukatë kur kontakton dhe flet me njerëzit në publik, për zonja që kanë marrë inisiativa si Ballauri dhe unë.

Mbi të gjitha të kuptojë se koha e tij ka marrë fund njëherë e përgjithmonë. Ka bërë dëm të madh kur shpalli antikushtetues atë ligj që do të duhej ta çonte në pension prej kohësh, por Abdiu dhe Abdinjtë e tjerë, nuk do të kenë vend në sistemin demokratik shqiptar në vendimmarrje.

Kjo është kërkesë e të rinjve dhe dhjetra e qindra magjistratëve që kërkojnë një sistem më të drejtë për njerëzit”, ka thënë ajo. Reagimi i Dodës pason pas një interviste të ish-kryetarit të Gjykatës së Lartë. /albeu.com/
Shtuar më 24/12/2014, ora 13:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori