Pas 5 orësh kërkime, shpëtohen në mesnatë 2 turistët francezë që kishin mbetur të bllokuar te “Shpella e Pëllumbasit”

Policia e Tiranës i ka ardhur në ndihmë dy turistëve francezë që kishin mbetur të bllokuar në vendin e quajtur “Gryka e Skoranës”, te shpella e Pëllumbasit.

Pas 5 orësh kërkime, para mesnatës, shërbimet e Policisë kanë gjetur 2 turistët francezë në vendin ku kishin mbetur të bllokuar për shkak se kishin humbur orientimin dhe nuk kishin më as ujë, as ushqim.

Pasi iu kanë dhënë ndihmën e parë, për shkak të terrenit te rrezikshëm, shërbimet e Policisë kanë kërkuar shërbime të specializuara për të nxjerrë turistët nga vendi ku ishin bllokuar.

Në ndihmë të tyre kanë shkuar Njësia Alpine e FNSH Tiranë dhe shërbime të Repartit Special RENEA, të cilët kanë ndërhyrë për nxjerrjen e turistëve nga vendi ku kishin mbetur të bllokuar dhe së bashku me shërbimet e tjera të Policisë i kanë shoqëruar me këmbë turistët, deri në vendin ku i priste ambulanca.  Dy turistët janë dërguar në spital, për ndihmën e nevojshme mjekësore, dhe aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.


Shtuar 7.09.2023 11:00