Dëmshpërblimi i përmbytjeve, 8 grevistët shkodranë thirren në prokurori
8 protestuesit e Shkodrës të cilët zhvilluan një grevë urie prej 17 orësh janë thirrur në prokurori.

Sipas banorëve kjo është një padrejtësi dhe një çështje politike pasi sipas tyre nuk kanë bërë asnjë vepër penale por vetëm kanë kërkuar të drejtën e tyre.

“Është çështje veç politike, se nuk jemi as hajdutë, as kriminelë, nuk kemi vjedhur gjë. Na thirrën në Prokurori për një të drejtë që e kemi kërkuar vetë, për një të drejtë tonën që na takon.

Edhe thirrjen na e kanë bërë sikur të ishim kriminelë.
Mbas 26 vitesh demokraci në këtë vend, unë këtë thirrje e quaj vetëm politike. Na akuzojnë për provokim qeverie. Kjo është qeveri speciale. Na kanë thirrur për grevën e urisë që zhvilluam para një muaji”, tha njëri prej tyre.

Banorët paralajmërojnë protesta përpara kryeministrisë dhe ministrisë së energjetikës nëse nuk dëmshpërblehen.

“Ne jemi disa nga personat që protestuam për të kërkuar të drejtat tona. ne kemi njoftuar Prefektin e Shkodrës për të bërë një grevë urie, edhe Policinë e Shtetit, dhe për këtë kemi edhe dokumentet që e faktojnë.

Por Prefekti nuk mori asnjë masë për ne, as për vendosjen e çadrës. Ne bëmë një grevë për 17 orë, dhe sot shteti shqiptar nga ka çuar një thirrje për t’u paraqitur në Prokurorinë e Shkodrës. I drejtohemi shtetit shqiptar, nëse ne nuk kemi të drejtë të kërkojmë të drejtat tona, siç është për rastin tonë për përmbytjet e vitit 2010-2011, atëherë vaj medet populli shqiptar, në çfarë gjendje ka shkuar.

Ne jemi të vendosur, dhe nga ana e shoqatës sonë të përmbytjeve të zonës së Nën Shkodrës ditën e enjte do të ndërmarrim një masë tonën, dhe do të hyjmë në grevë para Kryeministrisë, ose para Ministrisë së Energjisë”, -thotë një prej ish-grevistëve./albeu.com/

Shtuar më 28/02/2017, ora 15:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori