Djegia e trinjakëve në Durrës, daja: Ashtu e donte Zoti të ndodhte
Pëlqej
Akoma është e freskët tragjedia në Durrës ku 3 fëmijë humbën jetën për shkak se u dogjën të gjallë në banesën e tyre. Nëna e tyre i la vetëm për pak minuta, por ky gabim u kushtoi shumë shtrenjtë.

Migena Konçi ka marrë dy vajzat e saj, 12 dhe 8 vjeçe, për t’i çuar te shtëpia e gjyshes së tyre (vjehrrës), me qëllim që të bënin mësimet.

Trinjakët, sipas familjarëve, bënin rrëmujë nëpër shtëpi e për rrjedhojë dy motrat që shkonin në shkollë nuk arrinin dot të përqendroheshin e të bënin detyrat.

Ndodhur në këto kushte, prej ditësh vajzat shkonin dhe i bënin detyrat në shtëpinë e gjyshes së tyre.

Por, jeta e tre të vegjëlve trinjakë, Artur, Valerio dhe Alesio, u ndërpre ende pa nisur, teksa dhoma në të cilën po qëndronin u përfshi nga flakët.

Familjarët tregojnë se gjithçka ka ndodhur shumë shpejt, “sikur fati i vëllezërve të vegjël të ishte shkruar nga Zoti”. Nëna e tyre, Migena dhe babai Gazment, në një- farë mënyre ndihen përgjegjës për tragjedinë, shkruan Panorama.

Të vrarë shpirtërisht, ata e kanë të pamundur për të shpjeguar se çfarë ka ndodhur në shtëpinë e tyre, ku trinjakët u dogjën të gjallë në dhomën e gjumit.

Hamdi Çela, daja i babait të fëmijëve, dje ishte mjaft i tronditur teksa rrëfen detajet se përse vogëlushët ndodheshin vetëm në banesë.

Hamdi, si ndodhi kjo ngjarje e rëndë në familjen Konçi?
Nuk di çfarë të them. Siç e shikoni, këtu ka pllakosur tragjedia. Tre fëmijë të vegjël kanë humbur jetën. Prindërit e kanë të pamundur të pranojnë se trinjakët nuk jetojnë më.

Duket qartë dëshpërimi i tyre. Nëna e tyre, Migena, e ka të pamundur ta përballojë këtë fatkeqësi dhe shpeshherë humb ndjenjat, ndërsa babai Gazment ka ngrirë i gjallë dhe e ka të pamundur komunikimin, qoftë edhe me të afërmit që vijnë për ngushëllim.

Si e mësuat ngjarjen e rëndë, ku ndodheshit?

Edhe unë jetoj në këtë zonë dhe lajmi u përhap shumë shpejt. Më lajmëruan në telefon. Fillimisht mendova se kishte të bënte vetëm me zjarrin në banesë, por kur mësova se brenda ndodheshin tre vogëlushët, qielli më ra mbi kokë. Renda drejt shtëpisë dhe kur arrita, çfarë të shikoja. Gjithçka kishte marrë fund, fëmijët ishin djegur të gjallë, brenda në dhomën e gjumit.

Keni komunikuar me Migenën (nënën e fëmijëve), çfarë ju tha ajo? Pse ndodheshin vetëm tre të vegjlit?

Sigurisht që kam komunikuar me nënën e fëmijëve dhe më tregoi me detaje se çfarë ka ndodhur konkretisht, pse ndodheshin fëmijët vetëm dhe ku ndodhej ajo.

Ajo i kishte mbyllur fëmijët në dhomën e gjumit për disa minuta, pasi kishte çuar dy vajzat më të mëdha të mësonin dhe të bënin detyrat te gjyshja e tyre, e cila banon vetëm 70-80 metra larg shtëpisë së familjes Konçi.

Pse pikërisht te shtëpia e gjyshes dhe nuk mësonin në shtëpinë e tyre vajzat?

Ato ishin kthyer nga shkolla dhe bënin detyrat e shtëpisë pasdite. I kishte çuar të shtë- pia e gjyshes pasi mësonin më qetë, sepse në shtëpinë e tyre trinjakët bënin rrëmujë dhe e kishin të pamundur vajzat që të përqendroheshin te mësimet. Nëna e tyre do të çonte vajzat dhe do të kthehej shpejt në shtëpi, ku ndodheshin trinjakët.

I kishte mbyllur me çelës në dhomën e saj të gjumit me qëllim për të luajtur me njëri-tjetrin deri në momentin që ajo do të kthehej.

Grupi hetimor ka gjetur brenda dhomës së gjumit ku ndodheshin trinjakët një kuti me shkrepëse. Jeni në dijeni se çfarë e ka provokuar zjarrin që përfshiu dhomën?

Në fakt, është e vërtetë. Fatkeqësisht, në dhomën e gjumit ndodhej një kuti shkrepëseje. Trinjakët e kanë hapur dhe kanë nisur të luanin me njëri-tjetrin duke ndezur fijet e shkrepëses. Fillimisht ka marrë zjarr perdja e dritares.

Ajo është shkëputur nga flakët dhe ka rënë mbi krevat, ndërsa më pas flakët janë përhapur me shpejtësi në të gjithë dhomën. Fëmijët ishin të shkathët dhe të vetëdijshëm, por e kanë pasur të pamundur të dilnin nga dhoma, pasi ajo ishte e mbyllur dhe në këto kushte janë djegur të gjallë.

Ishte vonuar Migena te shtëpia e vjehrrës?

Jo, jo. Migena tha se nuk kishte as pesë minuta që ishte larguar nga shtëpia… Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt dhe, siç e shpjegova më lart, zjarri është përhapur me shpejtësi në dhomën e gjumit. Dihet që materialet e dhomës së gjumit janë të ndjeshme nga zjarri, pra perdja, mbulesa e krevatit, sfungjeri dhe pambuku shpërthejnë menjëherë në flakë. Kjo ka qenë arsyeja pse fëmijët humbën jetën në pak çaste.

Zjarri është konstatuar shumë shpejt nga fqinjët, apo jo?
Po. Fqinjët e kanë konstatuar zjarrin menjëherë, por, siç e thashë, zjarri është përhapur me shpejtësi dhe nuk u ka dhënë mundësi të reagonin për të shpëtuar fëmijët. Pastaj dyert e shtëpisë ishin të mbyllura dhe dritarja ishte me kangjella. Në këto kushte, e kanë pasur të pamundur për të dhënë ndihmën e tyre. Nuk di çfarë të them…

Si është nga ana ekonomike e familja Konçi?

Si gjithë të tjerët. Gazmenti punon në një firmë inertesh me profesion shofer, ndërsa Migena shtëpiake, kujdesej për fëmijët. Ata kishin pesë fëmijë, dy vajza, njëra 12 dhe tjetra 8 vjeçe, si dhe trinjakët. Trinjakët shkonin në kopsht, kishin tri ditë që i kishin regjistruar. Nuk di çfarë të them, duket sikur ishte e shkruar nga Zoti të ndodhte kështu, pasi gjithçka ka ndodhur shumë shpejt. /albeu.com/

Shtuar më 23/09/2017, ora 16:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori