“Djali 2 ditë në vdekje klinike, policia e rrahu barbarisht në Komisariat”
Ditën e djeshme u zhvillua në Gjykatën e Krimeve të Rënda seanca gjyqësore e radhës për 11 të akuzuarit e dosjes “Lazarati2”, që bën fjalë për ngjarjet e vitit 2015, ku mbeti i vrarë efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha.

Në seancën e djeshme, si dëshmitarë u thirr babai i njërit prej të pandehurve, Xhuliano Malo. Ilirjan Malo ishte i acaruar me drejtësinë dhe organet ligjzbatuese shqiptare teksa dëshmonte në seancë. Ai u pyet më së shumti nga prokurori për ditën e arrestimit të të birit, shkruan Panorama.

“Atë ditë që më është arrestuar djali, isha në shtëpi. Xhuliano kishte qenë në Durrës për plazh, së bashku me Alikon, dhe kur po vinte, u kap në Lazarat. Pastaj më shoqëruan mua.

Gjatë shoqërimit dëgjoja djalin që bërtiste. Unë isha në katin e dytë të komisariatit, ndërsa ai ishte në të parin. Bërtiste nga dhuna që kishte ushtruar një oficer policie dhe 3 policë. As në kohën e Enver Hoxhës nuk na e kanë bërë këtë”,-tha Ilirjan Malo para trupit gjykues.

Sipas tij, dëshmia e djalit në Komisariatin e Gjirokastrës nuk duhet të merret për bazë, pasi ajo ka dalë në orën 13:00 të asaj dite, ndërkohë që djali i tij, Xhuliano Malo, është pyetur në orën 16:00.

Djali është pyetur në orën 16:00. Si ka mundësi që deklarata të ketë dalë më përpara?!”, vijoi Ilirjan Malo.

Ai madje shkoi më tej duke thënë se djali ka pë- suar vdekje klinike nga dhuna e policisë dhe se kjo mund të vërtetohet lehtësisht nga kamerat e sigurisë në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, ku Xhuliano ka qëndruar dy ditë sipas të atit.

“Verifikoni kamerat e sigurisë së spitalit të Gjirokastrës. Im bir ka qëndruar dy ditë në vdekje klinike aty. Merrini kamerat! Kjo vërtetohet lehtësisht.

E kanë rrahur në polici me ç’të kishin në dorë: shkopa gome dhe shqelma. Kur e kam takuar unë djalin, ai kishte rroba të tjera, që as nuk i kishte blerë vetë, por as ne nuk ia kishim blerë. E kishin ndërruar për të fshehur gjakun. Ai çalonte dhe kokën e kishte të mavijosur”, ka vijuar rrëfimin Ilirjan Malo.

Më tej seanca vijoi me dyer të mbyllura, ku u pyetën 3 efektivë të RENEA-s. Xhuliano Malo u arrestua në Lazarat, në qershor të vitit 2015, vetëm pak orë pas vrasjes së efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha.

Sipas Policisë, në mjetin me të cilin udhëtonte u gjet një automatik me fishekë. Ai është nën akuzë për vrasjen e efektivit në bashkëpunim me Arbion dhe Alban Alikon. /albeu.com/

Shtuar më 05/10/2017, ora 13:13

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori