Haradinaj kundër vendimit: Refuzimi i projektit të gazsjellësit amerikan është një veprim i rrezikshëm

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka dënuar ashpër refuzimin e projektit të gazsjellësit amerikan.

Haradinaj është shprehur se refuzimi i projektit të gazsjellësit amerikan është një veprim i rrezikshëm kundër interesave të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka pyetur nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar përfaqësuesit e Gazpromit rus.

“Po iu pyes Kryeministër Kurti: “Gjatë vizitës suaj të gjatë në Greqi, a e keni takuar ndonjërin nga përfaqësuesit e Gazpromit rus dhe a është kjo arsyeja e refuzimit të projektit të gazsjellësit amerikan!? Refuzimi i projektit të gazsjellësit amerikan është një veprim i rrezikshëm kundër interesave të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”

Gjatë një konference për medie, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi se kanë nevojë për më shumë informata për të qenë më të sigurt për ndërtimin e infrastrukturës së gazsjellësit, teksa shton se MCC ka afate strikte kohore zbatimin e programit të kompaktit.

Rizvanolli tha se janë në bashkëpunim me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për të vendosur për shfrytëzimin e kompaktin për investime me risk më të ulët./albeu.com