Ditëlindja u kthye në mort, si ndodhi aksidenti me tre të vdekur në Tiranë (FOTO LAJM)

Ata ishin nisur nga Tirana për tek një restorant në Elbasan me qëllim festimin e ditëlindjes së vajzës së tyre duke mos menduar se në kthim i priste vdekja.

Bardhok dhe Valentina Bibaj, sëbashku më vajzën e tyre 22 vjeçare Florida humbën jetën në orët para të ditës së djeshme në hyrje të Tiranës pasi makina e cila drejtohej nga i fejuari i vajzës tjetër humbi kontrollin duke u përplasur me bordurën e rrugës.

Përplasja ishte shumë e fortë duke shkaktuar tre viktima në vend, ndërsa Xhuljana Bibaj 26 vjeçe dhe i fejuari i saj gjenden në spital.

Ata festuan ditëlindjen e Floridës, e cila ndërroi jetë ditën kur edhe kishte lindur 22 vite më parë.

“Në aksin rrugor ElbasanTiranë, në afërsi të TEG-ut, mjeti me drejtues shtetasin Arlintin Alia ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke u përplasur me bordurën e rrugës. Si pasojë e përplasjes kanë ndërruar jetë pasagjerët Bardhok, Valentina e Florida Bibaj. Xhuljana Bibaj, 26 vjeçe, ka kaluar në vdekje klinike dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. Ndërsa drejtuesi i mjetit ndodhet në Spitalin e Traumës nën kujdesin mjekësor”, njoftoi dje zyrtarisht Policia e Tiranës.

Viktimat janë anëtarë të një familjeje me origjinë nga Mirdita, me banim në Bathore.

Dy prindërit dhe vajza e tyre e vogël, bashkë me disa të afërm të tjerë, kanë qenë duke festuar ditëlindjen e 22- vjeçares që humbi jetën, në një lokal në rrugën e Elbasanit. Pas tyre, në një tjetër makinë, po udhëtonin në një distancë shumë të afërt me makinën që u përplas, edhe pjesa tjetër e familjes. Ata kanë qenë me një makinë tip “Mercedez Benz”. Në një video të publikuar në media, dëgjohet duke bërtitur vajza tjetër e çiftit, që ndodhej në makinën tjetër, derisa në vendngjarje mbërrijnë dy autoambulanca.

Nuk dihet ende nëse ka qenë ndonjë pakujdesi e shoferit, gjendja e përgjumjes apo nëse ai kishte konsumuar alkool. Për të përcaktuar nivelin e alkoolit, priten analizat e gjakut.

Shtuar më 17/06/2019, ora 10:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori