“Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore”
Pëlqej
Në kuadër të “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore” (29 shtator), Ministria e Kulturës ka ndërmarrë nismën “Trego kulturën tënde”, nismë që do të shoqërohet me organizimin e një sërë aktivitetesh kulturore në mbarë vendin.

Do të jetë tryeza e rrumbullakët me temë “Trashëgimia, Restaurimi, Arkeometria” që nga ambientet e sallës Tefta Tashko të Ministrisë së Kulturës (ora 09:30), do të çeli serinë e aktiviteteve që do të zhvillohen në kryeqytet, për tu pasur nga “Parada e ansambleve folklorike”, që do të nisen nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit në orën 11:30, për të mbërritur tek kolonada midis Muzeut Arkeologjik dhe Rektoratit.

Rreth orës 12:00, do të zhvillohet koncerti i valleve i ansambleve folklorike, në ambientet e kolonadës, ndërkohë që aktivitetet do të përmbyllen në Muzeun Historik Kombëtar në orën 18:00 me çeljen e një ekspozite me instrumente të vjetër muzikorë nga koleksioni privat i Mark Lulit, ku gjatë ekspozitës do të ketë performanca muzikore nga ansambli “Arketip” me instrumente nga kjo ekspozitë.

Ndërkohë që aktivitetet që do të zhvillohen nga Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare në kuadrin e 29 Shtatorit “Ditës Kombëtare Të Trashëgimisë Kulturore” dhe “European Heritage Days” do të vijojnë si më poshtë:
DRKK Shkodër

Aktivitet prezantues në Galerinë e Artit në Shkodër, ku do të marrin pjesë artistë shkodranë në pikturë dhe skulpturë. Ekspozita titullohet “Monumente, Pejsazh dhe DRKK Shkodër”. Janë të ftuar personalitete të kulturës dhe artit, autoritetet vendore të Shkodrës, miq dhe dashamirës të trashëgimisë kulturore, si dhe përfaqësues nga Ministria e Kulturës.

Në këtë ekspozitë do të ketë fotografi, postera të përmasave të ndryshme të trashëgimisë kulturore materiale, me monumente e pejsazhe, si dhe punën e bërë nga DRKK e Shkodrës.

Në kuadër të kësaj Dite janë botuar “Libri Prezantues” dhe një fletëpalosje e DRKK Shkodër.

Në Kalanë e Shkodrës do të ketë guida prezantuese dhe shpjegime në muzeun e saj si aktivitete ndihmës, shoqëruar me videoprezantim. Aktivitetet do të transmetohen në televizionet lokale dhe kombëtare.

DRKK Durrës

DRKK Durrës, në bashkëpunim me Bashkinë Durrës dhe DAR, Durrës, si dhe me faktorë të tjerë lokalë të trashëgimisë kulturore organizon një aktivitet në Qendrën Historike të Durrësit.

Shkollat që kanë birësuar monumentet do të vendosen pranë tyre duke performuar dhe krijuar atmosferën që të rikujton historinë e monumentit. Qytetarët mund të bëjnë një rrugëtim të shkurtër në Qendrën Historike të Qytetit, ku do të gjejnë atmosferë festive e do të përfshihen në aktivitetin e nxënësve. Rrugëtimi zyrtar fillon në orën 4.00 – 4.15 tek Amfiteatri me një performancë të shkollës “Vinçenc Prendushi”.

Tek muret e Kalasë, në pjesën e brendshme do të jetë shkolla “Gjergj Kastrioti” (ora 4.20-4.35), me një shfaqje me këngë të vjetra shqiptare, ku të rinjtë do të jenë me kostume të epokës. Do të ketë ekspozitë, teatër dhe nxënësit – gazetarë do të intervistojnë kalimtarët.

Në orën 4.45 – 5.00 tek muzeu “A. Moisiu” do të jetë shkolla “Shaqe Mazreku” me një panair sendesh të vjetra , të mbledhura nga nxënësit. Tek Hamami, Qendra Kombëtare e Fëmijëve do të luajë valle popullore të Shqipërisë së Mesme. Bulevardi do të jetë i mbushur me nxënës të shkollës “Jan Kukuzeli”, me këngëtarë, performues, art vizual, instrumentistë, etj. Në orën 5.30 vizita përqendrohet tek Rotonda, ku do të simulohet tregu i vjetër bizantin, si dhe në një panair, do të promovohet trashëgimia jonë jomateriale, artizanati, kulinaria e zonës, etj.

DRKK Berat

Lektorium mbi fazat e restaurimit të një vepre arti.

Shpërndarja e fletëpalosjeve informuese mbi veprat e artit të restauruara nga specialistët e DRKK.

Shfaqje video për vlerat historiko – kulturore të qytetit.

Aktivitet me “Miqtë e Monumenteve” në disa prej monumenteve të Qendrës Historike.

Çelja e punimeve restauruese në banesën Haxhistasa, monument i kategorisë së parë.

Guida përgjatë itinerarit turistik nga specialistët e DRKK

DRKK Vlorë

Shpërndarje e posterave dhe fletëpalosjeve promovuese për vlerat arkeologjike dhe mbi Ditët e Trashëgimisë Kulturore Evropiane, në bashkëpunim me Qarkun Vlorë.

Ekspozitë “Vlera monumentale në vazhdimësi të Qarkut Vlorë”.

Në kuadër të projektit “Miqtë e Monumentit” në dt.26.09.2014, do të organizohen takime me nxënësit e shkollave në Qytetin antik të Orikumit, Kalanë e Himarës, Kalanë e Kaninës, Manastirin e Zvërnecit, Sinagogën në Sarandë.

Në dt. 27.09.2014 do të zhvillohen ekspedita njohëse dhe përgatitja e albumeve fotografikë për shpellat, urat dhe çezmat antike.

Gjithashtu në dt. 27.09.2014, në bashkëpunim me Shkollën Artistike, në kuadër të projektit “Miqtë e Monumentit” do të organizohet një ekspozitë me piktura të veshjeve tradicionale të zonës.

Në datat 24 – 29 shtator 2014 do të organizohen vizita në Muzeun e Pavarësisë, Muzeun Historik dhe Muzeun Etnografik të qytetit.

DRKK Korçë

Me rastin e 29 Shtatorit, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare ka vendosur të organizojë një simpozium për prezantimin e siteve arkeologjike dhe vlerave materiale të monumenteve të kulturës, në Bazilikën e Linit.

Gjithashtu, do të zhvillohet dhe një aktivitet në kuadër të projektit “Miqtë e Monumentit”, në bashkëpunim me shkollën e fshatit Lin.

Atë ditë do të ketë hyrje të lirë për vizitorët në të gjitha muzetë.

DRKK Gjirokastër

Në kuadër të 29 shtatorit, Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore dhe “European Heritage Days”, brenda territorit që mbulon DRKK Gjirokastër do të zhvillohen këto aktivitete:

Përmet:

Foto-ekspozitë, realizuar nga grupi “Miku i Monumenti” me fotografi të monumenteve të kulturës të rrethit të Përmetit, pranë Shkollës së Mesme të Përgjithshme

Pastrim në monumentin e quajtuar “Guri i qytetit”, në bashkëpunim me Bashkinë.

Gjirokastër:

Ekspozitë fotografike në sheshin “Çerçiz Topulli”.

Shpallja e disa shkollave të qytetit Gjirokastër “MIKU I MONUMENTIT” – veprimtari ku disa shkolla do të përfaqësohen me një aktivitet të thjeshtë: këngë, valle, recitime, etj.

Një minifushatë sensibilizuese me materiale të ndryshme promocionale gjatë këtij aktiviteti.

Tepelenë:

Vizita në objekte “Monument kulture”, të shkollave të rrethit, takime biseda, fushata sensibilizuese me banorët e qendrave të banuara pranë këtyre monumenteve.
Shtuar më 26/09/2014, ora 17:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori