“First” zbulon “shtëpinë e barit” në Kukës, si ishin përshtatur llampat dhe gotat plastike për t’i shërbyer 934 bimëve (VIDEO)

Një “shtëpi bari” është zbuluar në Kukës, me 934 fidanë bimë narkotike.

Me anë të një operacioni të koduar “First”, policia ka arritur të sekuestrojë lëndën narkotike dhe ka shpallur në këkim autorët.

Lajmi u bë i ditur nga vetë policia përmes një njoftimi.

Njoftimi i Policisë:

Kontrolle intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike në terren të hapur dhe në terren të mbyllur, me anë të llambave.

Finalizohet operacioni policor i koduar “First”, i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kukës.

Zbulohet në një banesë, një ambient i përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave.

Shpallen në kërkim pronari i banesës dhe bashkëpunëtori i tij, të cilët kishin përshtatur banesën për të kultivuar bimë narkoitke me anë të llambave.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kukës,  bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, se në lagjen nr. 3, në qytetin e Kukësit, një shtetas kishte përshtatur banesën për kultivimin e bimëve narkotike cannabis sativa, në kushte laboratorike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “First” .

Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur lokalizimi dhe ndërhyrja në banesën e dyshuar, ku gjatë kontrollit u evidentua se njëra prej dhomave ishte përshtatur për të kultivuar bimë narkotike, me llamba. Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 934 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në gota plastike, llamba elektrike, aspiratorë dhe aksesorë të tjerë që shërbejnë për ngrohje.

Në momentin e ndërhyrjes, shërbimet e Policisë nuk kanë konstatuar njeri në banesë. Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, e pronarit të banesës, shtetasit K. H., 51 vjeç, dhe e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit H. S., 28 vjeç, të dy banues në Kukës.

Vijon puna për kapjen e shtetasve K. H. dhe H. S., identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim./albeu.com/