Dita e dytë e protestës, PD ngujohet në çadra dhe paralajmëron grevë urie
Protesta e opozitës sot është në ditën e saj të dytë të zhvillimeve ku figurat kryesore politike të opozitës bashkë me protestuesit gjenden të ngujuar para kryeministrisë duke kërkuar që koalicioni PS-LSI të dorëzojnë pushtetin.

Në shkelje të lejes së dhënë nga Policia e Shtetit, për afatin dhe modalitetet e protestës, organizatorët e protestës, në drejtimin e ish-drejtorit të Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, ngritën një çadër në bulevard, para Kryeministrisë.

Lëvizja erdhi në funksion të vijimit të protestës pa afat, si formë presioni për krijimin e një qeverie teknike, e cila sipas PD, do të garantonte zgjedhjelira dhe ndershme. Me sipërfaqe disa qindra metra katrorë dhe disa metra e lartë, në këtë çadër qëndrojnë të rinj të FRPD, militantë, anëtarë forumesh dhe deputetë, shkruan Shqiptarja.com.

Herë pas here tek çadra do të shkojnë edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PD, Lulzim Basha. Madje, ky i fundit, qëndroi në çadër përgjatë thuajse gjithë natës së parë të protestës.

Çadra është quajtur nga të rinjtë e FRPD: “Shtëpia e re e demokratëve, çadra e lirisë, qëndresës dhe protestës”. Edhe pse ngritja e çadrës, ku do të qëndrojnë një numër i kufizuar protestuesish, është një strategji e përdorur nga Partia Socialiste, gjatë qeverisjes së djathtë, opozita pretendon se po zbaton skenarin rumun.

Greva e urisë
Ngritja e çadrës para zyrës së kryeministrit Edi Rama duket se do të jetë hapi i parë i Partisë Demokratike, në përpjekje për krijimin e një situate destabilizuese para zgjedhjeve të 18 Qershorit.

Përfaqësues të opozitës, konkretisht deputeti Luçiano Boçi dhe kreu i FRPD Belind Këlliçi kanë paralajmëruar mundësinë e kalimit në një grevë urie. “Tek çadra do të ketë grevë urie, ne nuk largohemi. Protestuesit nuk do largohen nga Bulevardi deri në rrëzimin e Edi Ramës”, tha Boçi.

Plani për dhunë
Pas fjalimit të kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, organizatorët e protestës, krerët e rretheve dhe anëtarët e forumeve kanë marrë një tjetër urdhër verbal. Urdhri konsiston në mobilizimin e sa më shumë militantëve në mbështetje të personave të ngujuar në çadrat para Kryeministrisë.

Shqiptarja.com mëson se ata janë lajmëruar se, forma e re e protestës para godinës së qeverisë mund të zgjasë edhe disa javë. Urdhri konsiston edhe në përgatitjet për ngritjen e çadrave të tjera para Kryeministrisë, në ditët në vijim.

Në varësi të reagimit të faktorit ndërkombëtar dhe lëvizjeve të mazhorancës, opozita pritet ndërmarrë lëvizjen e dytë, që parashikon zhvillimin e një greve urie.

Po ashtu, opozita duket se ka edhe një plan B, i paralajmëruar deri diku dje edhe nga dy përfaqësues të PD, Arben Ristani dhe Aldo Bumçi.

Ristani ka deklaruar se nuk do të ketë tërheqje deri sa të largohet qeveria, ndërsa Aldo Bumçi ka nënkuptuar kalim në një aksion dhune. Ai tha se nëse Rama nuk largohet butësisht, do të përdoren mjete të tjera për ta larguar.

Zhvillimet nga dita e dytë e protestës së PD para Kryeministrisë

Ora 09:10 Oriela Nebiaj: Ky ishte vetëm fillimi për t'i shkuar deri në fund kauzës
"Unë jam brezi i teknologjisë, ndryshe nga 1991. Ne luftojmë sot me të tjera mjete, atëherë dëshira dhe ideali ishin të mjaftueshme për të qëndruar me muaj për të rrëzuar regjimin.

Të rinjtë janë të parët, ishin në krye të lëvizjes, qëndruan përgjatë gjithë natës.

Do të jemi këtu derisa t'i shkojmë deri në fund kësaj kauze" deklaroi zëdhënësja e PD, Oriela Nebiaj.

Ora 09:05 Kreu i PD, pritet që të rikthehet në protestë. Basha u largua në orën 06:00 të mëngjesit, ndërsa qëndroi përgjatë gjithë natës me simpatizantët e PD.

Ora 08:55 Simpatizantë të PD: Këtu deri sa të rrëzohet qeveria
Një tjetër qytetar shprehet se do të protestojë derisa të rrëzohet qeveria, pasi sipas tij, 'Rilindja' ka bërë dhe po bën presion me para dhe me dhunë. Gjithashtu ai tha se jam një familje me 5 pjesëtar dhe asnjë nuk punon.

Ora 08:50 Simpatizantë të PD: Protestë për papunësinë, drogën dhe krimin
"Jam i papunë, do të vazhdoj që të protestoj derisa të plotësohet ajo që kërkon PD. Shqipëria është bërë Kolumbia e Europës. Vota është vjedhur, ka pasur edhe presioni dhe frikë" deklaroi një nga qytetarët që ndodhet në çadrat e PD para Kryeministrisë.

Ora 08:45 Dhurata Çupi: Dekriminalizim dhe zgjedhje të lirë
Edhe deputetja e PD, Çupi për mikrofonin e Report Tv shprehet se do të vijojë që të qëndrojë në protestë derisa të marrin garanci për kërkesat që kanë për zgjedhjelira.

Ora 08:40 Në protestë me simpatizantët e djathtë ndodhet edhe deputeti i PD, Eduard Selami, i njohur si kundërshtar i Bashës për disa cështje, por i është bashkuar kauzës për zgjedhjelira që mund ti sigurojë vetëm një qeveri teknike, sipas liderit opozitar.


Ora 08:35 Gerti Bogdani: Protesta vijon, nuk ndalemi, zgjedhjelira!
Në ditën e dytë të protestës së PD, deputeti Gerti Bogdani u shpreh për Report Tv se protesta do të vijojë deri në plotësimin e kërkesës së saj për garantimin për zgjedhjelira me një qeveri teknike.

"Ishte një vendim i rëndësishëm, gjatë natës ka pasur qindra njerëz, ndërsa gjatë ditës do të ketë edhe shumë të tjerë.

Duam qeveri teknike për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Protesta është paqësore dhe ku kërkohet të ketë një ndryshim, jo thjeshtë një parti të zëvendësojë një tjetër.

Disa spekulantë thonë se protesta është alibi për zgjedhjet, por dua të them se kryeministri ka frikë nga vota e lirë.

Protestuesit janë të vendosur për të vijuar kauzën dhe për t'i shkuar deri në fund.

Shpresa është e vrarë, gjendja e qytetarëve është përkeqësuar shumë krahasuar me 4 vite më parë, të gjithë e ndiejnë shkelmin e rëndë të pushtetit" deklaroi ai.

Ora 07:50 Ashtu si Basha dje, edhe deputetët e PD sot shprehen se nuk dalin nga protesta pa marrë garanci për zgjedhjelira.

Ora 07:30 Në protestë aktualisht në çadra janë mbi 200 persona, ish-ministria të PD, deputetë, kryetarë të degëve dhe simpatizantë të opozitës nga rrethet.

Ora 07:20 Kreu i PD, Basha është larguar në orët e para të mëngjesit për t'u kthyer sërish më pas.

Ora 07:00 PD vazhdon protestën në ditën e dytë para Kryeministrisë në çadrat e ngritura./albeu.com/
Shtuar më 19/02/2017, ora 09:13

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori