Dita e Ashures, Berisha uron besimtarët bektashinj
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një vizitë në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, me rastin e Ditës së Ashures. Berisha i përcolli Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve Haxhi Baba Edmond Brahimajt dhe të gjithë besimtarëve bektashinj, urimet më përzemërta për këtë ditë të shenjtë, duke vlerësuar në këtë vit të rëndësishëm, siç është 100 vjetori i Pavarësisë, rolin dhe kontributin e madh që kanë dhënë bektashinjtë duke shndërruar Teqet, në qendra të fuqishme rezistence, në vatra lirie të të gjithë luftëtarëve në të katër anët e trojeve shqiptare.


"Në këtë 100 vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, ishte një nder i madh për mua që ti uroj Baba Edmondit dhe nëpërmjet tij të gjithë bektashinjve shqiptarë këtë ditë të shenjtë Ditën e Ashures. Sikundër të përulem me nderimin më të madh para rolit, kontributit historik, që bektashinjtë shqiptarë kanë dhënë në rizgjimin, në rilindjen e kombit shqiptarë, kanë dhënë në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, duke shndërruar Teqet në qendra të fuqishme rezistence, në vatra lirie të të gjithë luftëtarëve në të katër anët e trojeve shqiptare.

Bektashinjtë, në të gjitha kohërat kanë sakrifikuar për lirinë e shqiptarëve. Udhëheqësit bektashianë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, nuk ndanë Kuranin nga pushka dhe dhanë kontribut thelbësor në çlirimin e vendit. Pas shembjes së perdes së hekurt, rindërtuan me mençuri, me tolerancë, me mirëkuptim, e rilindën bektashizmin shqiptarë, si një besim i madh tek Zoti, si një besim që frymëzoi tolerancë, mirëkuptim, vëllazëri. Ndaj dhe unë edhe njëherë dua të uroj këtë ditë te betejës së Qorr Belasë, urimet më të përzemërta në emër të qeverisë shqiptare, për bektashinjtë shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, diasporë dhe kudo që ndodhen sot", thuhet ne urimin e Berishës. /albeu.com/
Shtuar më 24/11/2012, ora 16:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori