Dita botërore e shtypit, Berisha uron punonjësit e mediave
Në ditën botërore të lirisë së shtypit, kryeministri Berisha uroi gazetarët, analistët, botuesit, pronarët dhe punonjësit e mediave duke i premtuar atyre se do të mbetet mik i tyre.

“Sot njerëzit e lirë në mbarë botën nderojnë me vlerësimin më të madh mediat, punonjësit e tyre, rolin e tyre si pushtet i katërt, pa të cilin nuk ka demokraci. Duke bashkuar zërin tim me protestën dhe kërkesat e drejta të mediave shqiptare këtë ditë, unë dua t’i garantoj ato se mbetem një mik i vërtetë i tyre që çmoj dhe admiroj rolin e tyre të pazëvendësueshëm dhe thelbësor në një shoqëri të lirë dhe se do bëj gjithçka që liria e tyre të bëhet çështje e lirisë se çdo shqiptari” shkruan kryeministri në Facebook.

Kreu i qeverisë ka vlerësuar edhe reporterët që kanë dhënë jetën në vendet e konfliktit duke i cilësuar si martirë.


“Unë gjithashtu dua të përulem me nderim të madh para atyre gazetarëve, kameramanëve, kronistëve që u martirzuan këtë vit në zona të nxehta të planetit për të informuar botën mbi zhvillimet e ethshme. Edhe njëherë, gëzuar ditën e lirisë së shtypit, ditën e fjalës së lirë!” përfundon Berisha. /albeu.com/
Shtuar më 03/05/2013, ora 14:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori