Diskriminim etnik në Armatën e Republikës së Maqedonisë
Albeu.com
Njësiti special “Ujqit”, që vepron pranë Ministrisë së Mbrojtjes, numëron rreth 400 ushtarë specialë dhe të punësuar tjerë në logjistikë, pa asnjë shqiptar. Burime nga MM, thonë se përveç maqedonasve, “incidentalisht mund të ndodhet edhe ndonjë serb i padeklaruar”.Njësiti special “Ujqit” mbetet etnikisht i pastër. Burime të mirëinformuara nga Ministria e Mbrojtjes (MM), thonë se përveç maqedonasve, “incidentalisht mund të ndodhet edhe ndonjë serb i padeklaruar”. Ndërkaq mësohet se pjesëtarët e këtij njësiti janë kërcënuar se nëse vetëm një shqiptar kyçet në radhët e tyre ata kolektivisht do ta lënë punën.
Në fillim të këtij viti MM ka shpallur konkurs për kyçjen e ushtarëve në këtë njësit. Edhe pse janë paraqitur 18 kandidatë, asnjëri prej tyre nuk e ka kaluar trajnimin kualifikues që zgjatë 24 ditë. Burime të “Lajm” thonë se instruktorët maqedonas kanë maltretuar kandidatët fizikisht dhe psikikisht, duke u dhënë detyra të parealizueshme që ata vullnetarisht të heqin dorë.
“Nuk e përjashtoj mundësinë që gjatë trajnimit, ushtarët shqiptarë të jenë ofenduar edhe në baza nacionale. Një pjesë e kandidatëve kanë kaluar pjesën më të rëndë të kualifikimit, por ata kanë hequr dorë sepse nuk kanë dashur të jenë shqiptarët e parë që do të hyjnë në këtë njësit që nuk gëzon emër të mirë ndër shqiptarët”, tha për “Lajm” zëvendësministri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi.
Ai shtoi se kriteret e trajnimit për këtë njësit janë shumë të vështirë. Xhaferi bëri të ditur se ushtarët vihen në sprovë të karakterit, qëndrueshmërisë psikike dhe asaj fizike. “Gjatë muajit maj do të ketë konkurs të ri për këtë njësit, ndërsa paraprakisht punohet për përgatitjen e ushtarëve nga ana e oficerëve shqiptarë”, pohoi Xhaferi.
“Duke analizuar situatën me atasheun amerikan, erdhëm në përfundim të ketë një seleksionim të ri dhe caktuam oficer që do të rekrutojë kandidatë prej ushtarëve nga njësitet e posaçme. Ndër ta, 27 shqiptarë u deklaruan pozitivisht dhe pas kontrolleve fizike kemi filluar t’i përgatisim për gjithçka që mund të ballafaqohen”, deklaroi Xhaferi. Sipas tij në këtë seleksionim do të ketë edhe një oficer shqiptar i cili do të bëjë mbikqyrje të trajnim-kualifikimit.
Njësiti special “Ujqit”, që vepron pranë Ministrisë së Mbrojtjes, numëron rreth 400 ushtarë specialë dhe të punësuar tjerë në logjistikë.
Qahıs Bakiu, Lajm
Shtuar më 21/04/2006, ora 12:28
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori