Diktaturat nuk instalohen brenda natës
Editorial i Albeu.com
Diktaturat nuk instalohen brenda natës. Madje, pjesa më e madhe e diktatorëve kanë ardhur me zgjedhje duke ia marrë më pas hapësirën e të drejtave qytetarëve pak nga pak deri në vendosjen e plotë të regjimit të tyre.

Eksperienca ka treguar se regjimet krijojnë ose shfrytëzojnë ngjarje të rënda për të mbyllur çdo gojë që nuk flet siç ua ka ënda atyre.

Sa herë është në vështirësi për shkak të keq qeverisjes ose më saktë mos qeverisjes së tij, Rama përpiqet të shpikë një armik në mënyrë që përmes tij të frikësohen edhe të tjerët.

Mediat që nuk e shohin realitetin si ai janë armiqtë e preferuar të Ramës.

Fillimisht, kryeministri u përpoq t'i delegjitimonte para syve të qytetarëve ato media që nuk i ka ende nën kontroll. Pasi pushteti i tij degjeneroi edhe më tej, kryeministri ka kaluar në një fazë tjetër të luftës me armiqtë imagjinar.

Për Ramën ka ikur koha e fjalëve dhe tani është koha e burgut për gazetarët ose mbyllja e mediave.

Gjatë ditës së djeshme, AKEP ka mbyllur me urdhër të kryeministrit Rama aksesin në faqen e "JOQ Albania" të të gjithë qytetarëve që tentojnë të futen aty nga Shqipëria.

Kështu, prej gati 24 orësh asnjë shqiptar që jeton në Shqipëri nuk mund të lexojë denoncimet e "JOQ Albania" për mos qeverisjen dhe vjedhjen e këtij vendi, ku tashmë nuk ka mbetur asgjë, përveç propagandës dhe frikës.

Më parë, policia kishte shpallur në kërkim administratorët e "JOQ Albania" me arsyestimin se kishin përhapur panik.

Në fakt, paniku më i madh është ai kur vendi nuk qeveriset në rastet e fatkeqësive.

Të gjithë shqiptarët e panë se sa shket i shkalafitur ishim përballë një tragjedie si ajo e 26 nëntorit.

Për fat, fqinjët tanë erdhën shpejt dhe mundën të nxirrnin nga rrënojat një numër të madh shqiptarësh, pasi ekipet tona të shpëtimit ishin pajisur vetëm me kazma, lopata, leva hekuri dhe duart e tyre.

Jemi në kohërat kur nuk burgosesh për shkalafitjen e shtetit dhe dhënien e të ardhmes me konçension, por kur i thua këto të vërteta.

I ka edhe media mëkatat e saj duke qënë produkt i kësaj shoqërie, por Rama, një ndër nxitësit dhe shfrytëzuesit ndër vite e këtij ambienti plot mëkate, nuk mund të jetë kurrsesi shëruesi i tij.

Kjo nuk është Shqipëria që duam!
Shtuar më 30/11/2019, ora 15:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori