“Digjet” vendi, vatra zjarri në Fier, Lushnje dhe Elbasan
Emergjencat bëjnë të ditur se përgjatë orëve të pasdites në të gjithë vendin ka pasur 3 vatra zjarri në pyjet e Qarkut Fier dhe Elbasanit.

Ndërkohë, shërbimet zjarrfikëse kanë ndërhyrë për të shuar flakët pavarësisht vështirësive të terrenit.

Në fshatin Lekaj, Njësia Administrative Hys Gjokaj, Lushnje ka rënë zjarr në një masiv me pisha. Flakët të ndihmuara edhe nga era e fortë janë përhapur me shpejtësi. Në vendngjarje kanë mbërritur 4 mjete zjarrfikëse, 2 nga Bashkia Lushnje, 1 nga Fieri dhe 1 nga Kavaja. Si pasojë e flakëve është djegur një sipërfaqe prej rreth 10 ha me shkurre dhe pisha. Aktualisht zjarri është izoluar dhe po punohet për shuarjen e tij. Sipas informacioneve paraprake dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm.

Vatra tjetër e zjarrit në qarkun e Fierit ka rënë në një sipërfaqe me pisha në fshatin Gjorgos, Cakran, Fier. Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikëset e Fierit dhe ato të Patosit për të shuar flakët.

Në fshatin Hasmashaj, Njësia Administrative Gjocaj, Peqin ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve flakët janë vendosur nën kontroll dhe zjarri është shkuar. Si pasojë e zjarrit një sipërfaqe prej rreth 3 ha me shkurre është djegur. /albeu.com/
Shtuar më 03/07/2017, ora 17:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori