Manchester United në ndjekje të Martin Odegaard

Martin Odegaard tërheq vëmendjen e Manchester United. Sipas “DailyMail”, “Djajtë e Kuq” kanë dërguar skautin e tyre kryesor, për ta parë norvegjezin në veprim në kampionatin spanjoll fundjavën e kaluar, para se të hidhen në sulm për blerjen e tij gjatë merkatos së verës.

21-vjeçari po shkëlqen në radhët e Real Sociedadit, ku është huazuar nga Real Madridi, që zotëron kartonin e tij. “Los Blancos” kanë mundësinë të zgjatin kohën e huazimit të Odegaardit te Sociedadi për një vit tjetër ose mund ta rikthejnë në fund të sezonit në Madrid.

Gazeta spanjolle “El Diario Vasco” pretendon se kreu i skautizmit global të United, Marcel Bout, ishte i pranishëm në “Anoeta” në fitoren 3-0 të Sociedadit ndaj Valencias të shtunën e kaluar.

Odegaard ka bërë përshtypje në këtë sezon, teksa ka shënuar shtatë gola në 25 ndeshje në të gjitha garat me skuadrën baske, e cila renditet e gjashta në La Liga.

Odegaard u vlerësua si një nga talentet më të mëdhenj të futbollit në vitin 2015, kur u ble nga Reali (u aktivizua vetëm në një takim me “Los Blancos”), por përgjatë këtyre viteve ai është huazuar në Holandë te Heerenveeni dhe Vitesse e së fundmi te Real Sociadadi në La Liga.


Shtuar 26.02.2020 09:43