DiCarlo: Statusi i Kosovës është zgjidhur, s'ka më negociata
Albeu.com
Statusi i Kosovës është i zgjidhur dhe për atë nuk mund të ketë më negociata, por mund të bisedohet për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, deklaroi zëvendës-ndihmësja e Sekretares së Shtetit, Rosemary DiCarlo.Në një takim me një grup gazetarësh nga Serbia, DiCarlo tha se periudha pas 15 qershorit kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës është "ditë e rëndësishme", dhe se Shtetet e Bashkuara duan të shohin përparim në Kosovë, veçanërisht në fushën e decentralizimit dhe të mbrojtjes së pakicave.

Lidhur me raportet e qeverisë së re të Serbisë ndaj Kosovës, DiCarlo tha se Kosova është e pavarur, dhe kjo është e pakthyeshme, ndërsa qëllimi tash është që të sigurohet mbrojtja e të gjithë banorëve të Kosovës dhe zhvillimi ekonomik, veçanërisht i serbëve.

DiCarlo gjithashtu tha se zgjedhjet në Serbi treguan se shumica e qytetarëve duan ta shohin vendin në Bashkimin Evropian, dhe shfaqi shpresën se qeveria e ardhshme do ta ndjekë vullnetin e tyre.

Carpenter: Nuk ka për çfarë të bisedohet...

Ngjashëm me DiCarlon në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka deklaruar edhe Ted Galen Carpenter nga Instituti CATO në Washington. Ai ka thënë se qëndrimi i Washingtonit dhe i vendeve kryesore të Bashkimit Evropian është se statusi i Kosovës është zgjidhur dhe se Kosova tani është e pavarur.

Carpanter, nënpresident për çështjet e mbrojtjes dhe të politikës së jashtme në Institutin CATO, duke u përgjigjur rreth nismës së Rusisë, Indisë dhe Kinës që të ringjallen bisedimet për statusin e Kosovës, theksoi se tani "nuk ka për çfarë të bisedohet përveç për marrëdhëniet e ardhshme të Serbisë së pavarur dhe Kosovës së pavarur".

"Megjithatë nuk besoj se qëndrimet e këtyre vendeve do të kishin ndikim të madh në Perëndim, por nëse do të ketë, kjo mund të ndikojë në ndarjen eventuale të Kosovës, ashtu që pjesët me shumicë popullsie serbe të mbeten në kuadër të Serbisë. Për këtë edhe më mund të bisedohet, me gjithë qëndrimin e fortë të Perëndimit për këtë çështje, kryesisht për shkak të jogatishmërisë së të disa vendeve që të njohin pavarësinë e Kosovës", tha Carpenter. (QIK)
Shtuar më 20/05/2008, ora 22:21
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori