"Diabetikët, një nga grupet më të prekura", mjeku: Kortizonikët nuk janë karamele
“Barnat kortizonike po përdoren masivisht dhe ndoshta jo gjithmonë në mënyrë racionale për trajtimin e COVID-19”. Një shqetësim ky i ngritur nga mjeku endokrinolog, Dashamir Gjergji, i cili apelon që në trajtimin e pacientëve, të tregohet kujdes me përdorimin e kortizonikëve për shkak të efekteve anësore që ato kanë.

Sipas doktorit, diabetikët janë edhe një nga grupet më të prekura nga format e moderuara e të rënda të COVID-19.

“Në praktikën tonë të përditshme, ku kemi ndjekur me qindra të sëmurë diabetikë dhe me COVID-19 gjithashtu, kanë pasur rritje të vlerave të glukozës në gjak. Shkaqet kryesore të rritjes së sheqerit janë: infeksioni viral, përdorimi i kortizonikëve dhe stresi. I kemi këshilluar të sëmurët tanë që të bëjnë kujdes me mjekimet, monitorimin e sheqerit dhe sqarime për problematika të tjera jashtë diabetit”, vë në dukje doktori.

Rëndimi i gjendjes klinike te personat e infektuar ndeshet sipas tij, kryesisht pas ditës së 6-të apo të 7- të të sëmundjes. Pacientët me COVID-19 duhet që në mënyrë të vazhdueshme të kenë nën kontroll nivelin e oksigjenit dhe temperaturën. Në rastet kur niveli i oksigjenit bie nën 90 atëherë mund të fillohen edhe kortizonikët.

“Përdorimi i këtyre barnave është e mira të mos kalojë më tepër se një javë. Maksimumi 14 deri 21 ditë. Pas ditës së 10-të fillojnë e shfaqen efektet anësore, ku me së shumti janë të lidhura me çrregullimet neruroendokrine që ndodhin në organizëm”, shton doktori.

Doktor, gjatë këtyre muajve të pandemisë barnat kortizonike po përdoren masivisht. Për të kuptuar edhe më tepër, çfarë janë kortizonikët?

Që nga dhjetori i vitit 2019 bota po përballet me një nga pandemitë më të rënda në historinë e saj. Sot përllogariten të jenë prekur rreth 70 milionë persona dhe mbi 1.5 milionë jetë të humbura drejtpërdrejt prej këtij infeksioni.

Shkaqet kryesore të përkeqësimit dhe të vdekshmërisë kanë të bëjnë me komplikacionet që sjell ky virus në mushkëri, zemër, enë gjaku dhe organe të ndryshme. Pneumonitë dhe trombozat vaskulare mbeten 2 faktorët më madhorë kërcënues të sëmurëve të prekur prej COVID-19. Duke mos pasur eksperiencë në përballimin e kësaj sëmundjeje virale, qëndrimet rreth mjekimeve kanë ndryshuar në kohë dhe nga njëri vend te tjetri.

Në tërësi, skemat dhe protokollet mjekësore të trajtimit, përfshijnë antibiotikë, anti-inflamatorë, oksigjeno-terapi, hollues gjaku etj. Barnat kortizonike (kortikosteroide) po përdoren masivisht dhe ndoshta jo gjithmonë në mënyrë racionale për këtë sëmundje.

Kortikosteroidet janë hormone që prodhohen nga gjëndra mbiveshkore dhe rrjedhin nga metabolizmi i kolesterolit. Kortizoli, prodhohet nga pjesa e jashtme e gjëndrës mbiveshkore dhe ka rëndësi të madhe fiziologjike për trupin sidomos në të mbajturin normal të presionit të gjakut, rregullues i metabolizmit të sheqernave, yndyrave, proteinave etj. Gjithashtu, këto hormone luajnë rol mbrojtës në aspektin e favorizimit dhe fuqizimit të sistemit imunitar dhe në përballjen e streseve të ndryshme të organizmit.

Në gjendje jo stresi, trupi ynë sekreton rreth 20 mg kortizol në ditë. Në situata të caktuara fizike dhe psikike si infeksione, trauma, operacione etj., mund të kemi rritje deri në 200 mg në ditë. Kortizonikët janë barna që në përbërje kanë kortizolin ose substanca të ngjashme me to. Kortizonikët kanë aftësi të ulin inflamacionin në organizëm dhe përdoren kryesisht për astmë bronkiale, artritet reumatizmale, alergji të ndryshme, sëmundje autoimmune

Ǒmund të themi për përdorimin e kortizonikëve te diabetikët e prekur nga COVID-19?

Diabetikët janë një nga grupet më të prekura nga format e moderuara dhe të rënda të COVID-19. Në praktikën tonë të përditshme, ku kemi ndjekur me qindra të sëmurë diabetikë dhe me COVID-19 gjithashtu, kanë pasur rritje të vlerave të glukozës në gjak. Shkaqet kryesore të rritjes së sheqerit janë: infeksioni viral, përdorimi i kortizonikëve dhe stresi.

I kemi këshilluar të sëmurët tanë që të bëjnë kujdes me mjekimet, monitorimin e sheqerit dhe sqarime për problematika të tjera jashtë diabetit. Si rregull te të gjithë diabetikët që kërkohet përdorimi i kortizonit, duhet të marrin dhe mjekim me insulinë. Skemat dhe tipet e insulinave zgjidhen të tilla, që të mbulojnë nevojat ditore dhe të përkojnë me oscilacionet e sheqerit në gjak.

Si duhet të veprohet në rastet kur përdoren doza të mëdha të kortizonit?

Në rastet kur përdoren doza të mëdha të kortizonit, duhet me patjetër që pas ditës së 14-të të përdorimit të tyre të fillojnë uljet e dozave të këtyre barnave, në mënyrë që të mos përjetojnë efektet anësore të tyre. Në të gjitha rastet synohet që vlerat e sheqerit në gjak të mbahen në gjendje esëll rreth 100mg /dl dhe pas ushqimit rreth 200mg/dl.

Te të sëmurët që ishin me mjekim me insulinë shtohen dozat e tyre, duke pasur objektiv arritjen e vlerave të mësipërme dhe duke evituar rënien e sheqerit. Duhet të zbatojnë me përpikëri oraret e bërjes se insulinës si dhe modifikimet e dozave sipas mjekut që kujdeset për to. Gjithashtu, mirë është të bëjnë nga 4 deri 6 matje në ditë të sheqerit, ku matjet më tepër të fokusohen në orët e pasdites dhe darkës.

Siguroj të sëmuret që diabeti, që shfaqet për herë të parë në këto kushte, me shumë gjasa largohet me shërimin nga COVID-19 apo me heqjen e kortizonikëve, por duhet të vazhdojnë kujdesin për dietën dhe monitorimin e sheqerit. Nga ana tjetër, edhe mjekimi me insulinë shpesh është i përkohshëm te këto diabetikë dhe të mos e marrin me frikë përdorimin e insulinës, por duhet të zbatojnë me vëmendje të gjithë rekomandimet e bluzave të bardha.

Doktor, në fakt a duhet të përdoren kortizonikët te pacientët me COVID-19?

Kjo pandemi që u përhap me shpejtësi në mbarë botën dhe rezultoi të ketë mortalitet shumë herë më të lartë se virozat e tjera. Shkaqet e përkeqësimit dhe të vdekshmërisë sipas shumë studimeve kanë qenë të lidhura ngushtësisht me disa elemente bazë, si mosha, gjinia, etnia etj.

Nga pikëpamja mjekësore shkaqet kryesore të vdekshmërisë kanë rezultuar të jenë komplikacionet e rënda në mushkëri, në zemër në tru etj. Duke mos pasur një protokoll unik ndërkombëtar, apo dhe kombëtar në shumë prej vendeve të botës, janë përdorur skema të ndryshme, çka ka sjell dhe ndryshime të shpeshta të qasjeve mjekuese te të sëmuret me COVID-19.

Sigurisht që, 80% e të sëmurëve nuk kanë nevojë për mjekime, sepse e kalojnë në formë të lehtë apo asimptomatike. Pjesa tjetër që kalon formën e moderuar, kanë nevojë për antibiotikë, për hollues të gjakut, vitaminoterapi dhe oksigjenoterapi. Pikërisht, janë të sëmurët që kanë kaluar në ftohje apo pleviti, siç njihet në gjuhë popullore, duhet bërë shumë kujdes në mjekimet dhe monitorimin e gjendjes. Shumica e profesionistëve që trajtojnë këtë sëmundje preferojnë të shtojnë në skemat e mjekimit, barnat kortizonikë.

Në këto kushte doktor, kush ka nevojë t’i përdorë kortizonikët dhe sa kohë duhen përdorur?

Përgjithësisht, mjekimi me kortizonikë merret në kushte spitalore, ose në kushte e trajtimit në sistemin parësor, por i monitoruar mirë nga mjekët specialistë. Mirë është të mos nisen që në fillim të sëmundjes, sepse java e parë është koha kur organizmi duhet medoemos të luftojë me virusin në mënyrë që sistemi imunitar të jetë i aktivizuar.

Rëndimi i gjendjes klinike ndodh shpesh pas ditës së 6-të apo të 7-të të sëmundjes. Popullata duhet të bëjë kujdes me monitorimin e oksigjenit dhe të temperaturës. Kur niveli i oksigjenit bie nën 90%, gjykohet e nevojshme shtimi i oksigjenit në mjekim dhe paralel mund të fillohen dhe kortizonikët për të frenuar ekzagjerimin e përgjigjes imune. Përdorimi i këtyre barnave është e mira të mos kalojë më tepër se një javë. Maksimumi 14 deri 21 ditë.

Pas ditës së 10-të fillojnë e shfaqen efektet anësore, ku me së shumti janë të lidhura me çrregullimet neruroendokrine që ndodhin në organizëm. Format e rënda klinike, që përbëjnë vetëm 5% të gjithë të prekurve nga COVID-19, kanë nevojë për mjekime të avancuara në kushte të suportit ventilator.

Si përfundim, shumica e studimeve ashtu si studimi RECOVERY (Randomised Evaluation of COVID-19 Therapy) kanë treguar dhe nxjerrë në pah faktin, që përdorimi i kortizonikëve ka ulur se tepërmi vdekshmërinë dhe komplikacionet e kësaj sëmundjeje po ashtu mosvlefshmërinë e përdorimit të tyre te të sëmuret që nuk përdorin oksigjenoterapi.

“Dexamethasone” është njëri prej barnave të kësaj klase dhe ndoshta bari me i përdorur në pacientët me COVID-19, madje i konsideruar si “pilula magjike” ose shpëtimtari i qindra mijëra jetëve. Gjithsesi, duhet bërë kujdes me përdorimin e tyre, sepse jo rrallë herë këto barna japin efekte anësore si: shtim në peshë, rritje të tensionit gjakut, akne në lëkurë, rritje të sheqerit të diabetikët, dobësi muskulore, rritje të presionit të syrit, çrregullime të stomakut dhe të tretje, çrregullime psiko-emocionale, osteoporoze, çrregullime të gjëndrave endokrine, depresion etj
Shtuar më 08/12/2020, ora 12:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori