Dhunë, flakë e gjak, pamje të dhimbshme nga 21 Janari 2011 (VIDEO)
Ditën e sotme bëhen 7 vite nga 21 Janari i vitit 2011 ku u vranë 4 protestues para kryeministrisë.

7 vite më parë, PS po zhvillonte një protestë kundër Partisë Demokratike, asokohe në maxhorancë.

Kjo çështje vazhdon akoma të vërvitet nëpër gjykata ndërkohë familjarët e viktimave bëjnë thirrje për drejtësi.

Çfarë ndodhi më 21 janar 2011?

Gjithçka nisi rreth orës 14:00, kur protestuesit përshkuan rrugën në këmbë nga sheshi “Skënderbej” deri para godinës së Kryeministrisë, pasi policia kishe marrë masat që të mos lejonte asnjë autobus të vazhdonte më tej.

Turma nisi me thirrje kundër Kryeministrit, ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë, filloi përplasja me forcat e policisë, të vendosura në mbrojtje të Kryeministrisë në pjesën e jashtme të saj.

Rreth orës 14:30, duke vënë re përshkallëzimin e demonstratës, efektivët e Gardës së Republikës, të cilët mbronin ambientet e brendshme të Kryeministrisë janë shtuar në oborr.

Demonstruesit, të irrituar nga ky veprim, kanë hedhur drejt efektivave të Gardës sende të forta si gurë, pllaka trotuari, pllaka mermeri, si dhe u është vënë zjarri pemëve që ndodheshin në pjesën përpara Kryeministrisë.

Gjatë kësaj kohe, nga ana e efektivëve të Gardës, me mjetet që ata dispononin, është hedhur një lloj gazi që vështirësonte frymëmarrjen dhe kordoni i forcave policore jashtë perimetrit rrethues të objektit është çorientuar, duke braktisur vendet e shërbimit, ndërkohë që kishin marrë plagë për shkak të përplasjes me demonstruesit. Në këtë kohë, protestuesit kanë hipur në kangjellat e murit rrethues të Kryeministrisë, por pa tentuar që të futeshin brenda saj.

Sulmet ndaj Gardës

Me ndërhyrjen e disa personave civilë, pjesëmarrës në demonstratë, si Zyhdi Dajti, nga thirrjet me megafon të gardës dhe thirrjet me zë të lartë nga efektivët në terren, të cilët u kërkonin largimin nga objekti demonstruesve dhe pas kalimit të automjeteve shihedhëse, një pjesë e demonstruesve janë larguar nga sheshi para Kryeministrisë për të kaluar nga ana e Piramidës.

Një pjesë e demonstruesve, pasi kanë hipur edhe në lartësi të Piramidës, kanë filluar të godasin me pllaka guri, pllaka trotuari, gurë e molotov, jo vetëm efektivët e Gardës, që ndodheshin në sektorin verior, por edhe Kryeministrinë, pasi aty nuk kishte më efektivë policie, por gjithsesi ajo ishte e mbyllur dhe e padëmtuar.

Nga sulmet masive me mjete të forta, shumë efektivë të Gardës me shërbim, kanë pësuar dëmtime fizike, të parrezikshme për jetën dhe pas një mjekimi ambulator në pjesën më të madhe, ata janë kthyer përsëri duke rimarrë pozicionet sipas planit të masave.

Goditjet me mjete të forta ndaj efektivëve të Gardës, kanë vijuar nga dy krahët, si nga bulevardi ashtu edhe nga Piramida, ku intensiteti i goditjeve ka ardhur duke u shtuar.

Në ato momente, një pjesë e demonstruesve, duke përfituar nga fakti që forcat policore ishin larguar nga vendi i tyre i shërbimit, kanë vepruar me forcë për të hapur portën e Kryeministrisë dhe pasi porta u hap duke u shqyer dryni i zinxhirit lidhës, një grup prej tyre kanë tentuar të futen brenda në objekt.

Të shtënat në ajër

Në këtë moment, Garda ka bërë thirrje për të shpërndarë demonstruesit, por turma e protestuesve nuk është larguar.

Ata kanë vijuar të qëllonin me mjete e sende të forta ndaj tyre. Fillimisht është hapur zjarr në ajër me fishekë manovre, ndërsa pak minuta më vonë, Garda nisi të qëllojë me fishekë luftarakë, po në ajër.

Në këtë moment, grupi i njësisë speciale, i pajisur me mjetet teknike të posaçme, është afruar nga mesi i rrugës për tek porta e Kryeministrisë, duke ndërhyrë forcërisht me shkopinj gome e mburoja, e duke arritur që të nxjerrin jashtë portës grupin e personave, që kishin mundur të futeshin pak metra brenda rrethimit të Kryeministrisë. Megjithatë, Garda nuk e ka mbyllur portën.

Vrasjet në bulevard

Për shkak të goditjeve që kishin pësuar nga sulmi i protestuesve, Garda kishte humbur pozicionin e vet, duke krijuar hapësira mes efektivëve dhe protestuesve, të cilët ndodheshin jashtë rrethimit të Kryeministrisë.

Ora shënonte 16:10. Në atë moment, të shtëna armësh janë dëgjuar nga brenda territorit të Kryeministrisë, ku më vonë, sipas prokurorisë, u vërtetua se qëlluan drejtpërdrejt dhe njëkohësisht Ndrea Prendi dhe Agim Llupo.

Ky veprim është pasuar edhe nga qitje të tjera, të realizuara nga efektivët e grupit të zjarrit në Gardën e Republikës. Si pasojë e predhave të qitura nga armët e zjarrit humbën jetën Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Veç tyre u plagosën edhe shtatë persona, mes të cilëve, gazetari Fatos Mahmutaj dhe Aleks Nika. Ky i fundit, pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak të Tiranës, është dërguar për kurim të mëtejshëm në Turqi, ku dhe vdiq pas disa ditësh.

Ngjarja u filmua nga dhjetëra stacione televizive, të cilët duke pasqyruar me profesionalizëm, pse jo dhe me guxim detajet më të imta të zhvillimeve të saj, ndihmuan jo pak për të vërtetën, për atë të vërtetë, për të cilën janë të gjithë të interesuar të jepet drejtësi. /albeu.com/


Shtuar më 21/01/2018, ora 11:42

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori