Dhuna ndaj mjekëve, Ministria e Shëndetësisë propozon dënim me burg
Sipas ndryshimeve të propozuara nga Ministria e Shëndetësisë, dhuna e ushtruar ndaj mjekëve në krye të detyrës tashmë do të konsiderohet vepër penale.

Ky propozim parashikon nga 1 deri në 5 vite burg për këdo që mund të dhunojë mjekët.

Me këto ndryshime, Shqipëria do të ketë dënimet më të ashpra për të gjithë ata që do të dhunojnë bluzat e bardha, krahasuar me fqinjët tanë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.


“Në Maqedoninë e Veriut ekziston vetëm ligj për mbrojtjen e pacientit, mirëpo edhe pse është sjellë ligji për mbrojtje e mjekëve, i njëjti nuk ka kaluar në Kuvend. Nga Shoqata e Mjekëve thonë se, përderisa për mjekët nuk ka ligje për mbrojtjen e profesionit të tyre, ata hasin në vështirësi të mëdha”.

Në Kosovë nuk ka mbrojtje specifike për mjekët, por Kodi Penal ndëshkon çdokënd që dhunon një zyrtar në krye të detyrës. Por nga ana tjetër, në Kosovë dënohet gabimi mjekësor.

“Me gjobë, ose deri në 5 vjet burg parashihet dënimi në Kodin Penal të Kosovës nëse pacientit i rrezikohet jeta ose shkaktohet vdekja nga mjeku, ose personeli mjekësor”.

Edhe në Shqipëri, drafti i propozuar, parashikon ndëshkimin e mjekëve në rastet e neglizhencës, por jo të gabimit mjekësor.

“Kur mjeku aplikon një metode standarde dhe shpreson se do të arrijë rezultatin pozitiv, por për arsye të ndryshme nuk arrin suksesin, ky është një gabim mjekësor, ndërsa neglizhenca është kur mjeku kryen, apo nuk kryen veprimet e duhura për arsye të pajustifikuara, ku tregon papërgjegjshmëri, ku është i vetëdijshëm që do të dështojë”.

Dhuna ndaj mjekëve nuk dokumentohet, e për këtë arsye nuk ka shifra të sakta në asnjë prej tre shteteve. Në vitin 2019, në Kosovë media ka raportuar tre raste kur mjekët janë dhunuar, ndërsa në Shqipëri janë regjistruar 5 të tilla, në Tiranë, Lezhë e Shkodër.

Shtuar më 25/05/2019, ora 16:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori