Dhjetra viktima pa përgjegjës! Bie akuza për vrasje, gjykata liron të arrestuarit për tërmetin
Asnjë përgjegjës për dhjetëra viktima e qindra të plagosurit e tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Ndryshimi i akuzave për të arrestuarit ka shfryrë dosjen “Tërmeti” dhe deri më tani nuk ka asnjë përgjegjës për viktimat dhe të plagosurit nga objektet e shembura në Durrës.

Gjykata e Durrësit ka liruar Artur Terziun, i cili akuzohej për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe pronarët e “Vila Palma” çiftin Arben e Dëshira Qato. Në objektin ku kishte ndërhyrë Terziu për të ndërtuar lokalin “Barons” humbën jetën nën rrënoja dy gra, ndërsa në hotel “Vila Palma” humbi jetën babai i Arben Qatos.

Artur Terziu është lënë në masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”, ndërsa iu hoq akuza e rëndë e shkaktimit të vdekjes dhe tashmë do të hetohet për falsifikim dokumentesh dhe ndërtim pa leje.

Po i njëjti gjyqtar, Paulin Cera, ka vendosur si masë sigurie atë të “Detyrimit të paraqitjes” për Arben e Dëshira Qato, pronarë të “Vila Palma” në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

Përfshi edhe të akuzuarit e tjerë në dosjen “Tërmeti”, prej të cilëve nuk ka ngelur asnjë në burg, nuk ka asnjë përgjegjës për dhjetëra viktimat e qindra të plagosurit.

ARTUR TERZIU

Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë detyrim paraqitje për pronarin e lokalit “Barons”, Artur Terziu, i akuzuar fillimisht për “Vrasje në rrethana cilësuese”, pasi u shemb pallati 6-katësh në lagjen Nr. 6.

Terziu kishte bërë ndërhyrje në kolonat e pallatit, ku kishte ndërtuar lokalin “Barons”, të cilin edhe e kishte legalizuar, ku humbën jetën dy gra:

Nafije Rexhepi dhe Xhuljeta Gjonajt. Në seancën e masës së rivlerësimit, avokati mbrojtës i 44-vjeçarit kërkoi masë më të lehtë për Terziun, pasi, sipas tij, i mbrojturi nga ai nuk akuzohej më për veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, por vetëm për veprat penale; “Falsifikim dokumentesh dhe ndërtim pa leje”.

Në bazë të kësaj akuze të re, gjyqtari Paulin Çera vendosi ndryshimin e masës nga “Arrest me burg” në “Detyrim paraqitje”.

Sipas burimeve nga organi i akuzës, ekspertiza që u bë ngjarjes si dhe kampionët e marrë në rrënojat e pallatit nxorën shkaktarë për shembjen e pallatit cilësinë e dobët të betonit të kolonave.

“Shkak për shembjen e pallatit ka qenë cilësia e dobët e betonit dhe jo ndërhyrja në katin e parë për ta përshtatur në lokal. Ekspertët kanë konstatuar se pallati ishte ngritur mbi kolona dhe nuk ka pasur mure mbrojtës”, thanë burime nga organi i akuzës. Tani, Terziu do të hetohet vetëm për falsifikim dhe ndërtim pa leje. /panorama
Shtuar më 30/07/2020, ora 16:16

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori