Dhëndri i Berishës akuzon ashpër Bashën: Ju kam çuar mbi 4 SMS
Pëlqej
Partia Demokratike është përfshirë nga debatet e nxehta pas humbjes së zgjedhjeve të 25 qershorit.

Pas katër orë debatesh, anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike vendosën unanimisht të nisin një proces analize dhe konsultimi me bazën demokrate, duke përfshirë të gjithë simpatizantët e Partisë Demokratike.

Jamarbër Malltezi: Rezultati në zgjedhje është ai që është dhe e dimë të gjithë.

Problemi ynë është se nuk ngritëm zërin sa duhet për të denoncuar vjedhjen e votës.

Sot, nëse del dhe flet me demokratët, janë të gjithë të demotivuar, shkruan Panorama.

Është detyrë e gjithsecilit, mendoj unë, për të nisur një marrëdhënie të re me demokratët e bazës për t’i bërë ata sërish të besojnë te PD. Ne, pavarësisht pretendimeve të shumta që kemi për vjedhjen e votave nga PS në zgjedhje nuk dokumentuam, ose më saktë nuk arritëm të dokumentonim vjedhjen e votës.

Kjo sa u takon zgjedhjeve parlamentare. Pa diskutim, besoj se procesi i analizës, por më shumë procesi i riorganizimit të partisë do të na çojë drejt një alternative të re brenda PD, e cila do të ngjallë shpresë dhe besim edhe te shqiptarët. Por që kjo të ndodhë, kryetar, duhet që fillimisht t’u kërkosh falje demokratëve për votat e hedhura në kutitë në garën e brendshme të PD.

Të gjithë e kemi parë në TV, se njësoj si ai që ne akuzojmë, mbusheshin kutitë në garën e brendshme për kryetar të PD. Në gjykimin tim, nga kjo falje e juaja duhet të nisë analiza e brendshme në PD.

Edhe një shqetësim personal që kisha lidhet me komunikimin. Ju kam çuar mbi 4 SMS dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje. Dëshiroj që të jeni më i disponueshëm me anëtarët e kryesisë, nëse ky nuk është vetëm rasti im personal.

Genc Pollo: Në fakt, kryetar, këtë shqetësimin e interaktivitetit në lidhje me ju e kam edhe unë. Duhet të jeni më disponibël besoj me kolegët, se edhe unë kam ngelur pa përgjigje në disa SMS që ju kam dërguar. /albeu.com/

Shtuar më 22/09/2017, ora 12:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori