Serbia shkel marrëveshjen e Ohrit, Daçiç lobon kundër njohjes së Kosovës në vendet aziatike

Serbia po shkel marrëveshjen e Ohrit në aktivitetin e saj diplomatik kundër njohjes së shtetit të Kosovës. Ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiç, në vizitën e tij në disa vende aziatike ka lobuar për mosnjohje të Kosovës nga ato shtete.

“Vizita në Taxhikistan ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, duke pasur parasysh, siç thashë gjatë vizitës në Uzbekistan dhe Kirgistan, se Serbia neglizhoi rajonin e Azisë Qendrore, i cili është shumë i rëndësishëm, ku janë pesë vende jashtëzakonisht miqësore dhe tradicionalisht të afërta me ne të cilat janë në anën tonë kur bëhet fjalë për ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit tonë territorial.

Në bisedimet me zyrtarët e Taxhikistanit u konfirmua edhe një herë mbështetja e Taxhikistanit për integritetin dhe sovranitetin tonë territorial dhe u tha qartë se nuk do ta njohin pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës”, ka thënë Daçiç, siç raporton mediumi në gjuhën serbe “Kosovo Online”.

Shefi i ploitikës së jashtme të Serbisë pretendoi se Beogradi zyrtar e ka forcuar pozitën e vetë në politikën e jashtme kur është fjala për Kosovën. “Asnjë nga ato vende nuk do ta njohë Kosovën dhe do të vazhdojë të mbështesë qëndrimet parimore të Republikës së Serbisë”, ka thënë Ivica Daçiç.


Shtuar 8.04.2023 14:00