Detajet nga mbytja në Vlorë: Amaneti për fëmijët dhe vendi i fshehtë i parave
Policia Kufitare gjen varkën me mesazh misterioz në Zvërnec. Gjatë kontrolleve të ushtruara në vijën bregdetare në Qarkun e Vlorës, Policia Kufitare ka gjetur një varkë plastike dhe një letër.

Në mesazhin e shkruar brenda një letre të futur në shishen, që gjendej brenda varkës, dyshohet të jetë “amaneti” i fundit i një personi që mund të jetë mbytur.

Varka plastike u gjet në zonën e Zvërnecit, ndërsa Policia ka nisur hetimet për këtë gjë. Nga ajo që lexohet në letër, lihet të kuptohet se bëhet fjalë për një person që mund të jetë mbytur në det, shkruan panorama.

"Jam unë Landi. Po mbytemi, nuk kemi kohë. Jorgjia të kujdeset për fëmijët. Lekët i keni te pllaka e fundit në banjë", ishte pikërisht ajo çfarë kishte si përmbajtje letra e gjetur në shishe brenda në varkë.

Policia e Vlorës ka nisur hetimet për zbulimin e identitetit të personit, që ka shkruar letrën dhe për të mësuar më shumë mbi fatin e tij.

Kjo ngjarje, nga hetimet paraprake, është lidhur me zhdukjen e një 33-vjeçari të denoncuar të zhdukur prej katër ditësh. Bëhet fjalë për Ksandro Ymeraj, i cili rezulton i humbur prej ditës së mërkurë në Vlorë.

Dyshohet se, i riu mund të ketë tentuar të largohet drejt Italisë me mjet lundrues. I riu ka humbur çdo kontakt me familjarët e tij, si në Shqipëri dhe në Itali.

Mësohet se shkak i largimit të tij drejt shtetit italian të jetë pikërisht fakti që 33-vjeçari dëshironte të bashkohej me të afërmit dhe familjarë të tij, që jetojnë në Itali

Ndërkohë, rezulton se kjo është hera e dytë që 33-vjeçari përfshihet në një situatë të tillë, pasi dhe disa muaj më parë ka tentuar largimin drejt Italisë. Por duket se rasti i fundit ka shqetësuar realisht familjarët e tij në Vlorë, të cilët kanë bërë denoncimin në Polici.

Deri tani, nuk ka asnjë të dhënë për fatin e 33-vjeçarit, ndërkohë që ka dyshime se ai mund të ketë tentuar që të shkojë drejt Italisë me varkën plastike bashkë me një person tjetër. Ky dyshim vjen nga fakti se, në letrën e gjetur shkruhet në numrin shumës.

Policia ka nisur hetimet për të zbuluar të dhëna mbi një fakt të tillë, duke mbledhur dëshmi nga persona që mund të kenë parë persona, duke lundruar me një varkë të tillë në thellësi të detit.

Ndërsa, gjithashtu, po hetohet edhe rreth faktit nëse rezulton ndonjë peshkatar i zhdukur gjatë këtyre ditëve, duke pasur në konsideratë faktin se edhe moti gjatë kë- tyre ditëve ka qenë mjaft i rënduar, ku dallgët në det kanë qenë deri në 8 ballë.

Gjatë viteve të fundit, në Qarkun e Vlorës ka pasur denoncime të shumta për persona të zhdukur, për shumë prej të cilëve ende nuk dihet fati i tyre.

Nga hetimet e Prokurorisë së Vlorës janë ngritur dyshime se disa prej tyre janë përfshirë në trafikun e drogës. Ndërkohë, sipas të dhënave të Policisë italiane, gjatë viteve të fundit, trafiku i paligjshëm i kanabisit midis Shqipërisë dhe Italisë ka pasur një rritje të jashtëzakonshme.

Në brigjet italiane, Policia ka sekuestruar sasi të mëdha, ku mbi 50 tonë lëndë narkotike e transportuar me mjete lundruese është kapur në zonën e Pulias. /albeu.com/


Shtuar më 03/04/2018, ora 10:28

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori