DETAJET/ Librat "e zinj" në shtëpinë e viktimave, sekti që ndiqnin nëna e dy vajzat
Policia e Tiranës prej ditës së enjte, kur nënë e bijë u zbuluan të vdekura në apartamentin e tyre në Kombinat, po analizon provat e sekuestruara aty dhe po heton për zbulimin e sektit fetar që mund të ketë nxitur vetëflijimin.

Burime nga Policia thanë se në apartamentin ku jetonin Zhaneta Josifi me dy vajzat e saj, Anisën dhe Blertën, janë sekuestruar disa materiale në cilësinë e provës materiale, mes të cilave edhe disa libra të zinj, me mbishkrimin “Kisha Ungjillore”.

Nëse këta libra i përkasin vërtetë kësaj kishe, apo janë përdorur nga ndonjë sekt i panjohur, kjo ende nuk është saktësuar. Megjithatë, shumë dëshmi flasin për një lidhje të fortë dhe të hershme mes nënës e të bijave me Kishën Ungjillore në Përmet.

Madje disa kanë dëshmuar edhe për një lidhje financiare mes tyre. Banorët e Përmetit, që e njohin mjaft mirë familjen Josifi, tregojnë se ata që prej shumë vitesh shkonin tek “Aleluja”.

Kështu e quajnë kishën, një godinë që ndodhet në qendër të qytetit, e drejtuar nga predikues norvegjezë që prej 20 vitesh. Megjithatë, prej dy vitesh ajo është e mbyllur.

“Anisa dhe Blerta, të dy vajzat e familjes Josifi që shkuan drejt vetëflijimit, ishin praktikante të këtij sekti që prej fëmijërisë së tyre, megjithatë banorët e Përmetit nuk e lidhin aktin e vetëflijimit me predikimin pranë këtij institucioni. Shumë fëmijë në atë kohë, sipas banorëve, ishin anëtarë të kishës, por kjo vetëm i ka sjellë paqe qytetit. Familja, sipas qytetarëve të Përmetit, sipas miqve të Zhanetës dhe mësueseve të vajzave, ka qenë një familje normale, e dedikuar te puna”, kështu kanë deklaruar banorët e Përmetit për “Top Channel”.
Shtuar më 06/07/2020, ora 21:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori