Detajet e reja: Si dhe kush i vodhi 2 milion euro nga Thesari
Një punëtor i Thesarit të Kosovës, me inicialet L.G, dyshohet se ka bërë transferimin e 2,077,995 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në adresë kompanisë, LDA Group Shpk, me bazë në Llapushnik.

Policia ka njoftuar zyrtarisht se të martën në mbrëmje, pas hetimeve të zhvilluara, është arritur të arrestohet një i dyshuar derisa dy të tjerë gjenden në arrati. Bëhet fjalë për L.G., ku pos pronës së tij në Komoran, është bastisur edhe banesa në Prishtinë dhe i është konfiskuar një veturë e tipit Audi A4.

Ky rast është thënë se ka ndodhur me 9 tetor 2020, ndërkaq arrestimi i parë është bërë mbrëmë më 20 tetor.

Përmes një konference për media edhe ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka konfirmuar se kanë ndodhur katër transaksione të paligjshme në vlerë prej më shumë se 2.1 milionë eurosh, në një llogari të një operatori privat.

Ajo e ka cilësuar këtë rast si “të izoluar”.

Bajrami në një konferencë të jashtëzakonshme për media, tha se rastin në organet e rendit ka denoncuar Ministria e Financave.

“Ky është një transaksion bankar dhe kemi gjurmuar të gjitha transakionet që janë bërë si rezultat i këtij transaksioni. Organet e rendit janë duke u marrë, për të parë se kush janë përfituesit fundorë”, ka deklaruar ajo./REL
Shtuar më 21/10/2020, ora 16:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori