Detajet e errëta të vrasjes së dyfishtë në Vlorë, autori ishte thirrur në prokurori atë mëngjes
Pëlqej
Një krim i dyfishtë tronditi mbrëmë Vlorën, nga ku mbetën të vdekur dy të rinj.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Gjorm, ku autori i krimit, Artion Shenaj ka vrarë me kallashnikov shokun e tij Mariglen Memën, e më pas është vetëvrarë me të njëjtën armë.

Pikërisht mëngjesin e ditës së djeshme Shenaj i sapokthyer nga Franca, ku ishte në burg për vjedhje, është thirrur në prokurorinë e Vlorës për të dëshmuar.

Njerëz të afërt pranë tij, konfirmojnë se pas atij momenti përgjatë gjithë ditës Shenaj ka qenë i shqetësuar e ka kërkuar me ngulm një takim me mikun e tij, Memaj me të cilin kishin qenë dikur bashkë në emigrim. Ka shumë gjasa që Shenaj të ketë ngritur dyshime tek fqinji i tij, se mos ky i fundit e ka spiunuar për ngjarje të së kaluarës shkruan Bw.

Burime të afërta me viktimën konfirmojnë gjithashtu se pas kthimit nga Franca gjendja psikologjie e 34-vjeçarit ka qenë e rënduar, aq sa familjarët të shqetësuar kanë kërkuar ndihmë edhe në një yshtare.

Ndonëse kanë kaluar vetëm 24 orë nga ngjarja e rëndë ende askush nuk e di me saktësi pse ndodhi. Sekretin e vrasjes Artion Shenaj zgjodhi ta marrë me vete, duke u vetëvrarë në banesën e xhaxhait. Pas la mister dhe një konflikt të hapur mes dy familjeve që jetojnë aq pranë.

Mëngjesin e sotëm, siç raportoi gazetari Enrik Mehmeti pranë banesave të familjeve që kishin hapur dyert e mortit qëndronte një fuoristradë policie, për të shmangur një konflikt të mundshëm apo një hakmarrje mes tyre.

Kujtojmë se viktima Mariglen Memaj ka lënë pas dy fëmijë, një djalë e një vajzë, ndërsa Artioni nënën dhe vëllain e tij. Memaj kishte qenë emigrant në Itali si dhe i burgosur në këtë shtet për lëndë narkotike, por më pas ishte kthyer të jetonte në fshatin e tij.

NGJARJA
Mariglen Memaj, rreth 35 vjeç ka qenë duke pirë kafe në qendër të fshatit kur i është afruar Artjon Shenaj, 33 vjec dhe pa paralajmërim ka goditur në drejtim të tij. Si pasojë e breshërisë së plumbave Memaj ka ngelur i vdekur në vend. Pas disa minutash autori i ngjarjes ka drejtuar armën e krimit nga vetja dhe i ka dhënë fund jetës në shtëpinë e xhaxhait. /albeu.com/
Shtuar më 16/01/2018, ora 20:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori