Detaje të reja nga grabitja, kush e qëlloi Muratajn?
Kur kanë kaluar 21 ditë nga vrasja e Admir Muratajt në aeroportin e Rinasit pas grabitjes së rreth 6 milion eurove, ende nuk dihet saktësisht se kush e qëlloi atë për vdekje.

Fillimisht u tha se kishte një shkëmbim zjarri midis një patrulle policie dhe grabitësve të armatosur, pretendim i cili nuk u faktua.

Tani, pranë prokurorëve të çështjes është dorëzuar një akt-ekspertimi mjeko ligjor i të ndjerit Admir Murataj, por dilemat se kush e qëlloi atë vijojnë edhe pas raportit.

I cilësuar si organizatori i grabitjes, Murataj mbante një maskë, e cila është tashmë një provë materiale në duart e policisë. Autopsia, siç shkruan A2CNN, tregon se Murataj u qëllua me një armë Kallashnikov, në syrin e djathtë, i cili e bëri të pa identifikueshëm imazhin e tij.

U desh ndërhyrja e familjarëve që të bëjnë identifikimin e kufomës. Por distanca nga e cila është qëlluar Admir Murataj mbetet enigmë, bashkë me personin që e eliminoi atë, pak minuta pas grabitjes.

Teksa vazhdojnë hetimet për grabitjen e bujshme, janë bërë verifikime edhe për dy numra celularësh të cilët dyshohet që janë përdorur nga grabitësit.

Ata rezultojnë të jenë blerë në tregun e zi, ndërsa janë regjistruar në emër të dy personave me aftësi të kufizuara.

Për grabitjen e 9 prillit janë arrestuar 6 persona. Gjykata e Krimeve të Rënda do të zhvillojë ditën e enjte seancën për mbylljen e hetimeve të dosjes për Muratajn, i cili ishte akuzuar si koka e grabitjes së blindave me para të bankave në rrugën drejt Rinas në vitin 2017.
Shtuar më 01/05/2019, ora 21:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori