Edhe Meta "shet" Llallën? Kërkon informacion nga Kryeprokuroria për shortin që u organizua nga vartësit e tij
Pas përfundimit të takimit të sotëm Llalla-Meta i cili zgjati rreth 30 minuta, zyra e shtypit të kreut të kuvendit ka servirur lajmin se ka qënë iniciativa e Metës, i cili me anë të një shkrese zyrtare i ka kërkuar Llallës për të mësuar me detaje mënyrën e përzgjedhjes për KED.

Mësohet se Meta i ka kërkuar Kryeprokurorit Adriatik Llalla që ta informojë institucionalisht në lidhje me procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, dhe respektimin e kritereve në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.

Kërkesa e Metës ndaj Llallës vjen pas akuzave të ambasadorit Lu, i cili ndër të tjera theksoi se Prokuroria e Përgjithshme shkeli Kushtetutën duke dërguar vetëm tre emra për tre vende vakante për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, short i cili u organizua nga Kuvendi.

Si drejtues i Kuvendit, rrjedhimisht Meta ka qenë në dijeni të të gjithë procesit në fjalë për shkak edhe se u organizua nga institucioni që ai drejton.

Takimi i sotëm vjen pas përplasjeve të fortë që ndodhën ditën e djeshme mes Kryeprokurorit Llalla dhe ambasadorit të SHBA-së Donald Lu.

Donald Lu akuzoi Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla për cenimin e frymës Kushtetutës lidhur me kandidaturat e paraqitura nga kryeprokurori për shortin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duke propozuar vetëm tre emra për tre vende që duhet të hidheshin me short./albeu.com/

Shtuar më 03/02/2017, ora 10:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori