DETAJE/ Atentati në Shkodër, autori qëlloi nga një largësi 12 metra e plagosi 3 persona
Atentati që kishte shënjestër një të ri në Shkodër, rrezikoi edhe jetën e kalimtarëve duke plagosur dy prej tyre.

Ngjarja me tre të plagosur, një prej të cilëve një vajzë 25- vjeçare, ndodhi në qendër të qytetit, në sheshin “Demokracia”, në vendin e quajtur ish- “5 heronjtë”.

Doni Lisi, 32 vjeç, ka marrë tre plumba në trup dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spitalin rajonal të Shkodrës.
Dy të tjerë janë plagosur në mënyrë rastësore, teksa në atë moment kanë qenë duke kaluar në rrugë.

Leona Turku, 25 vjeçe, është plagosur lehtë në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Kanë qenë persona që kanë rastisur në rrugë ata që i kanë dhënë ndihmën e shpejtë 25- vjeçares. Po ashtu, plagë nga plumbat ka marrë edhe shtetasi Enrik Prendushi, 59 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas afro 5 orësh, autori i ngjarjes, Aurel Ahi, 25 vjeç, banues në lagjen “Guerrile” në Shkodër, është arrestuar nga forcat speciale të Malit të Zi pasi kishte kaluar në tokën malazeze përmes Zogajve në Shkodër.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 13:00, kur nga një makinë jeshile me targë AA 440 NC, tip “Daevy”, është qëlluar në drejtim të shtetasit Doni Lisi. Edhe pse nga një largësi prej rreth 12 metrash, autori është treguar i saktë duke qëlluar 32-vjeçarin, i cili mori tre plumba, por janë plagosur aksidentalisht dy të tjerët. Në total shtetasi Aurel Ahi ka qëlluar 8 herë, me një pistoletë të tipit “TT”.

Të shtënat kanë traumatizuar qytetarët e shumtë, të cilët po kalonin në ato momente në rrugë. Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit, kur numri i kalimtarëve ishte i madh. Pavarësisht kësaj, është krijuar kaos dhe të gjithë kanë vrapuar në mënyrë që të mos qëllohen nga plumbat.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat të shumta policie bashkë me shefin e komisariatit Hamdi Shullani, për të bërë hetimet paraprake për këtë plagosje të trefishtë, ku në objektiv ishte vetëm 32- vjeçari Doni Lisi.

Autori me makinën jeshile është larguar me shpejtësi në periferi të qytetit të Shkodrës. Afro 10 minuta pas plagosjes, një grua ka lajmëruar policinë se ka parë një person duke hedhur një pistoletë në zonën turistike të Shirokës.

Forca të shumta policie janë drejtuar atje teksa kanë arritur që në një kosh mbeturinash të gjejnë armën e krimit, pistoletë tip “TT”, me të cilën është qëlluar personi që ndodhet në gjendje të rëndë dhe dy të tjerët, të plagosur aksidentalisht.
Ende nuk dihet shkaku i këtij krimi. Paraprakisht dyshohen konflikte mes dy personave. /Panorama/

Shtuar më 16/07/2017, ora 10:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori