Desir: Zbatimi i Reformës në Drejtësi, domosdoshmëri për integrimin e Shqipërisë
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, priti në një takim Sekretarin e Shtetit për Çështjet Europiane të Francës, Harlem Desir.

Në fokus të këtij takimi, ishte Raporti i Komisionit Europian ku Shqipërisë iu dha rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave.

Ministrja Gjosha, duke falenderuar z. Desir për mbështetjen që Franca i ka dhënë vendit me procesin e integrimit, u shpreh se Shqipëria është e vendosur të ecë përpara me përmbushjen e pesë prioriteteve dhe çdo reforme që i shërben qytetarëve shqiptarë për të ardhmen europiane të vendit.

"Procesi i integrimit për ne është mekanizmi më i mirë, për të ndërtuar një Shqipëri me standarde, ndaj edhe rekomandimin pozitiv e shohim si një tjetër hap në këtë rrugë pa kthim pas.

Jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë për të bërë, por nga ana tjetër të bindur se vetëm përmes këtij procesi mund të arrijmë të konsolidojmë demokracinë dhe të forcojmë shtetin e së drejtës në vendin tonë”, tha ministrja Gjosha.

Bashkëbiseduesit diskutuan mbi domosdoshmërinë e zbatimit sa më të shpejtë të reformës në drejtësi, përmes ligjit të Vettingut, duke e konsideruar thelbësore për vijimësinë e procesit.

Z. Desir vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria, veçanërisht miratimin konsensual të reformës në drejtësi dhe inkurajoi qeverinë shqiptare për të vazhduar rrugën e reformave, si e vetmja rrugë për të përshpejtuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Z. Desir u shpreh se Franca mbështet perspektivën e zgjerimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjatë takimit bashkëbiseduesit u ndalën tek rëndësia e Procesit të Berlinit për zhvillimin e vendeve që aspirojnë të jenë pjesë e Europës. /albeu.com/
Shtuar më 08/12/2016, ora 11:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori