Deshton tenderi, akoma me targa letre
Albeu.com
Tenderi i parë për furnizim me targa të regjistrimit të automjeteve dyshohet se ka dështuar për shkak të konkurrencës së madhe të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës që njerëz të afërt të tyre apo bashkëpunëtorë të tyre të jenë fitues, shkruan sot “Koha Ditore”. Mirëpo, fatkeqësisht ky tender nuk i ishte dhënë askujt, por jo për shkak të ankesave siç ka thënë Ministria e Punëve të Brendshme një javë më parë. Nga burime të gazetës brenda MPB-së, është marrë vesh se qëllimi i grupit të brendshëm të MPB-së që bën vlerësimin e tenderit, është që të shpall fitues konsorciumin gjermano-shqiptar, UCHI, e cila konkurron me çmim prej 14,2 eurove për një palë tabela, mirëpo ka kompani të tjera që janë më të lira deri në 10 euro.

Gazeta ka kërkuar sqarime nga MPB-ja, për arsyet e vërteta të mosshpalljes së fituesit në tenderin e parë, si dhe pse kjo ministri ka deklaruar që tenderi ka dështuar për shkak të ankesave, mirëpo një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Këshilltari i ministrit të Brendshëm, Fisnik Rexhepi, i cili gjatë muajit dhjetor kishte deklaruar se tenderi ka dështuar për shkak të ankesave të kompanive, të mërkurën, nuk ka dashur të komentonte asgjë në lidhje me këtë.

“Nuk është aspak e vërtetë që ka dështuar tenderi i parë për shkak të ankesave siç ka thënë ministria, sepse nuk është ankuar askush për arsye se nuk kanë shpallur fitues. Nuk kanë mund me e shpallë fitues kanë dashtë për shkak se ka pas ofertues më të mirë edhe e kanë anuluar, arsye tjetër nuk ka pas”, është shprehur burimi, zyrtar i lart në MPB, me kusht anonimiteti.

Sipas po të njëjtit burim të gazetës, personi brenda Qeverisë së Kosovës, që është duke ushtruar presion që fitues të shpallet konsorciumi gjermano-shqiptar, UCHI, është këshilltari i kryeministrit Shaip Muja. Gazeta ka kontaktuar me Mujën, mirëpo ai ka deklaruar se nuk ka lidhje me këtë çështje. “Unë jam jashtë shtetit që 10 ditë dhe nuk e di se për çfarë bëhet fjalë”, është shprehur Muja.

MPB-ja, përveç që ka qenë e mbyllur në lëshimin e informatave për arsyet e vërteta të dështimit të tenderit të parë dhe kjo doli të mos jetë e vërtetë, ka lëshuar edhe informacione të tjera, të cilat nuk janë konfirmuar si të tilla.
Qendrat e regjistrimit të automjeteve në mbarë Kosovën kanë mbetur sërish pa targa dhe bëjnë vetëm regjistrimin e automjeteve, por nuk u japin tabela.
Ministria e Punëve të Brendshme kishte premtuar fillimisht që në qershor të vitit 2009 do të niste me dhënien e targave me logon RKS, (Republika e Kosovës), më pas në tetor dhe premtimi i fundit është janari i vitit 2010.

Rexhepi kishte deklaruar gjatë muajit dhjetor 2009 se fituesi i tenderit për prodhim të tabelave të reja, pritet të shpallet më 28 dhjetor, nga MPB-ja dhe nëse ndonjë kompani humbëse nuk bën ankesa të bazuara për parregullsi të tenderimit, atëherë do të mund të nisë edhe prodhimi i tabelave të reja. Mirëpo, fituesi ende nuk është shpallur dhe premtimi i ri i MPB-së është, “disa ditë”.
Shtuar më 07/01/2010, ora 16:32
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori