Midis Perëndimit dhe Rusisë: A mund të jetë Gjeorgjia “Ukraina” e ardhshme?

Nga Sophie Tanno & Niamh Kennedy “CNN

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Protestat të fuqishme kanë shpërthyer këtë javë në Gjeorgji, pasi parlamenti miratoi njërin nga dy projektligjet që synon të regjistrojë si “agjentë të huaj” disa organizata jo qeveritare që marrin fonde të huaja. Ai është krahasuar me një sërë ligjesh tejet të ashpra të miratuara në Rusi, dhe të denoncuara nga grupet e të drejtave si një përpjekje për të kufizuar liritë themelore dhe për të goditur kundërshtarët politikë të regjimit.

Ky zhvillim ka shkaktuar trazira të mëdha. Mijëra demonstrues u mblodhën jashtë godinës së parlamentit të Tbilisit mbrëmjen e së martës, duke valëvitur jo vetëm flamurin gjeorgjian, por edhe atë të Bashkimit Evropian. Gjeorgjia, që e fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në 1991, është përpjekur të ruajë një ekuilibër midis ndjenjave pro-evropiane të qytetarëve dhe synimeve gjeopolitike të fqinjit të saj të fuqishëm, Rusisë.

Në marsin e vitit 2022, ajo aplikoi për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, një ambicie që mund të rrezikohet nga projektligji i propozuar. Po çfarë parashikon saktësisht ky projektligj? Giorgi Gogia, drejtor i asociuar i Divizionit të Evropës dhe Azisë Qendrore në organizatën Human Rights Watch, tha se në parlamentin gjeorgjian aktualisht po diskutohen 2 projektligje.

I pari kërkon nga organizatat, përfshirë grupet joqeveritare dhe mediat e shkruara, online dhe televizive që të regjistrohen si “agjentë të huaj” nëse marrin nga jashtë vendit 20 për qind ose më shumë të të ardhurave të tyre vjetore. Ata që nuk e respektojnë ligjin, do të përballen me gjoba prej 9.600 dollarësh (25.000 lari gjeorgjiane).

Ndërkaq projektligji i dytë e zgjeron fushën e kategorizimit “të agjentëve të ndikimit të huaj” për të përfshirë individët dhe forcon ndëshkimin për shkeljet nga gjobat deri në 5 vjet burg. Për Gogia, projektligjet përfaqësojnë një kërcënim të qartë për të drejtat e njeriut në Gjeorgji.

“Ata kërcënojnë që të mënjanojnë dhe diskreditojnë zërat kritikë në vend. Ky kërcënim është real. Nën maskën e transparencës, deklaratat e fundit nga autoritetet gjeorgjiane sugjerojnë se ligji do të përdoret për të stigmatizuar dhe penalizuar më tej grupet e pavarura, mediat dhe zërat kritikë në vend”- shton ai.

Projektligji i parë u miratua në parim të martën në një seancë që u transmetua drejtpërdrejt në faqen zyrtare të parlamentit në internet me 76 vota pro dhe 13 kundër. Që të bëhet ligj, projektligji duhet të kalojë edhe në disa votime të tjera.

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili, ka deklaruar se do të vendosë veton e saj dhe teksa ka mbështetur protestuesit përmes një video-mesazhi të postuar në Facebook. “Ata që e mbështesin sot këtë ligj, të gjithë ata që e votuan sot këtë ligj, po shkelin Kushtetutën. Ata po na largojnë nga Evropa. “Unë e thashë që në ditën e parë se do të vë veton ndaj këtij ligji dhe do ta bëj këtë”- deklaroi ndër të tjera Zourabichvili.

Megjithatë sipas Human Rights Watch, partia qeverisëse e vendit Ëndrra Gjeorgjiane, duket se ka shumicën parlamentare për të kapërcyer një veto presidenciale. Projektligji në fjalë ndjek modelin e një ligji të diskutueshëm në Rusinë fqinje, i cili ka vendosur tashmë kufizime dhe kritere shumë të ashpra për organizatat dhe individët me lidhje të jashtme. Ligji u miratua fillimisht në vitin 2012 në mesin e një vale protestash të mëdha pas akuzave për manipulim të zgjedhjeve dhe ndaj synimeve të Vladimir Putin për t’u rikthyer në presidencë.  Ai kërkonte që organizatat që angazhoheshin në veprimtari politike dhe që merrnin fonde nga jashtë, të regjistroheshin si “agjentë të huaj” dhe të respektonin rregullat dhe kufizimet e mëdha.

Ligji rus mbi “agjentët e huaj” është përditësuar gradualisht që atëherë, duke formuar shtyllën kurrizore të një pengese edhe më të fortë të vendosur kundër shoqërinë civile në Rusi gjatë dekadës së fundit. Gogia thekson se projektligji është i ngjashëm me ligjin në Rusi dhe “po përpiqet të krijojë një status të veçantë dhe ndërhyn në lirinë e shoqatave dhe mediave”.

Bjellorusia, një vend me lidhje shumë të ngushta me Rusinë, ka miratuar që nga viti 2002 një ligj që ka një ndikim të ngjashëm. Ndërkohë në dhjetorin e vitit 2022, parlamenti bjellorus miratoi disa amendamentet në këtë ligj, të cilat i japin mundësi qeverisë që të përndjekë pjesëtarët e opozitës politike, aktivistët dhe kritikët e tjerë që ndodhen në mërgim.

Ligji i jep mundësi presidentit që t’i heqë shtetësinë bjellorusëve që ndodhen jashtë vendit, edhe nëse nuk kanë asnjë shtetësi tjetër. Projektligjet u propozuan nominalisht nga një fraksion në parlament, i formuar nga anëtarë që u larguan nga partia qeverisëse Ëndrra Gjeorgjiane, por që mbetën ende pjesë e mazhorancës parlamentare.

Ndërkohë think-tanku Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), beson se kjo parti po e udhëheq Gjeorgjinë drejt sferës së ndikimit të Rusisë. “Gjatë viteve të fundit, dhe sidomos gjatë 18 muajve të fundit, koalicioni qeverisës i Gjeorgjisë ka bërë një sërë lëvizjesh që duken se synojnë të distancojnë vendin nga Perëndimi dhe ta zhvendosin gradualisht në sferën e ndikimit rus”- thuhet ndër të tjera në një raport të publikuar nga ECFR në

dhjetor. Ai përmend emrin e Bidzina Ivanishvili, ish-kryeministër dhe miliarder, si një nga protagonistët kryesorë në mbështetje të këtij kursi drejt Moskës. “Roli kryesor për këtë largim nga BE-ja i takon oligarkut dhe ish-kryeministrit Bidzina Ivanishvili, partia e të cilit, Ëndrra Gjeorgjiane e dominon koalicionin qeverisës”- thuhet më tej në raport.

Ivanishvili u bë i pasur kur jetonte në Rusi gjatë tranzicionit të saj të trazuar drejt një ekonomie tregu. Ai ka qenë pjesë e një grupi bankierësh rusë me ndikim, që e mbështetën rizgjedhjen në detyrë në vitin 1996 të ish-presidentit rus Boris Yeltsin.

Ndërkohë analistët kanë vënë re ngjashmëri midis situatës në Gjeorgji dhe Ukrainë, që të dyja ish-republika sovjetike që e kanë gjetur veten të bllokuar midis Lindjes dhe Perëndimit. Grupi i ekspertëve ECFR bëri krahasime midis situatës në Gjeorgji dhe pushtimeve të Rusisë në Ukrainë në vitet 2014 dhe 2022.

Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev, deklaroi në vitin 2011 se nëse Rusia nuk do ta kishte pushtuar Gjeorgjinë në vitin 2008, NATO do të ishte zgjeruar me këtë vend. Konflikti i vitit 2008 u përqendrua në Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë, dy provinca separatiste brenda Gjeorgjisë.

Ato janë zyrtarisht pjesë e Gjeorgjisë, por kanë qeveri të veçanta, që nuk njihen nga shumica e vendeve të botës. Si Abkhazia ashtu edhe Osetia e Jugut mbështeten nga Rusia. Pushtimi i Gjeorgjisë i vitit 2008 zgjati vetëm disa ditë, por u duk se kishte të njëjtat ambicie revanshiste që nxitën pushtimet e Putinit në Ukrainë në 2014 dhe vitin e kaluar, shkruan ECFR.

“Në këtë kuadër, luftërat e Rusisë në Gjeorgji dhe Ukrainë duken se janë pjesë e një projekti të vetëm perandorak”- theksohet më tej në raport. Projektligji i qeverisë gjeorgjiane është kritikuar gjerësisht si një nismë që do të ketë një efekt potencialisht shumë të dëmshëm për shoqërinë civile gjeorgjiane, dhe veçanërisht OJQ-të dhe mediat vendase që kanë lidhje me Evropën.

Po ashtu, ai do të pengonte përpjekjen e Gjeorgjisë për t’iu bashkuar një ditë Bashkimit Evropian. Një deklaratë e BE-së të martën paralajmëroi se ky ligj do të jetë “i papajtueshëm me vlerat dhe standardet e unionit”, dhe mund të ketë “pasoja serioze në marrëdhëniet midis nesh”.

Në shkurt, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Ned Price, deklaroi gjithashtu se “cilido që voton për këtë projektligj” mund të rrezikojë gjithashtu marrëdhëniet e Gjeorgjisë me Evropën dhe Perëndimin. “Partnerët ndërkombëtarë kanë qenë shumë të qartë kur kanë deklaruar se miratimi i një projektligji për “agjentët e huaj” do të ishte në kundërshtim me angazhimet e shpallura të Gjeorgjisë për respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe aspiratat e saj euro-atlantike”- tha Gogia për CNN.

“Unë shpresoj që autoritetet gjeorgjiane t’i kushtojnë vëmendje paralajmërimit, dhe në vend se të miratojnë projektligje që pengojnë qartazi punën e grupeve joqeveritare dhe mediave të pavarura, duhet të sigurojnë një mjedis të sigurt dhe të favorshëm për shoqërinë civile në vend”- përfundoi ai. /albeu.com


Shtuar 10.03.2023 10:49