Deshmitare te rinj kunder Haradinajt
Albeu.com
Në gjykimin e përsëritur kundër ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dëshmitarët që nuk janë thirrur për të dëshmuar në gjykimin e parë do të paraqiten në dhomën e gjykatës në Tribunalin e Hagës.Siç ka mësuar gazeta “Blic” e Serbisë, ata do të dëshmojnë kundër krimeve të kryera kundër të burgosurve në kampin e UÇK-së në fshatin Jabllanicë afër Deçanit, nga muaji mars deri në shtator të vitit 1998.

Haradinaj u arrestua të mërkurën në Kosovë nga EULEX-i sipas një thirrjeje të mbyllur nga Tribunali i Hagës. Ai u transferua në Hagë kur dhoma e apeleve dje anuloi vendimin fillestar që e lironte atë dhe urdhëroi gjykim të pjesshëm.

Sipas Nerma Jelaciq, përfaqësues në ICTY, shkruan “Blic”, rigjykimi kundër Haradinaj dhe Lahi Brahimaj e Idriz Balaj ‘ka qenë rasti i parë në historinë e tribunalit që të përsëritet’.

Dhoma e apeleve ka pranuar argumentin e Prokurorisë se gjykimi i parë nuk ka qenë i drejtë pasi që dhoma e gjykimit nuk ka arritur të bëjë përpjekje të mjaftueshme për t’i dëgjuar dëshmitarët kyç të cilët refuzuan të dëshmojnë për shkak të “ngacmimeve” dhe “frikësimeve”, shkruan e përditshmja beogradase, “Blic”.
Shtuar më 22/07/2010, ora 09:54
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori