8 Dhjetori, politika shqiptare uron “Ditën e Rinisë”

Sot më 8 Dhjetor, festohet Dita e Rinisë, pasi 32 vjet më parë, studentët protestuan kundër regjimit komunist. Kjo datë, përkujtohet dhe festohet si festë kombëtare, në nder të gjithë studenteve të Dhjetorit më 1990, të cilët së bashku me pedagogët e Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë të kthesës së madhe historike, që sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë.

Politika shqiptare ka kujtuar këtë ditë, përmes postimeve në rrjete sociale.

Presidenti Bajram Begaj shkruan se, 32 vite më parë 8 dhjetori ndau përfundimisht historinë e shtetit shqiptar dy epoka. Sipas presidentit, idealet e studentëve të dhjetorit 1990 duhet të na frymëzojnë gjithnjë për të punuar me përgjegjësi.

“8 dhjetori i 32 viteve më parë i studentëve të Tiranës, do të ndante përfundimisht në historinë e shtetit shqiptar dy epoka.

Ai dhjetor, do të ishte i fundmi dhjetor i pushtetit komunist, për të mbetur në histori edhe dhjetori i parë i lirisë në pluralizëm politik, për të mbetur përjetësisht edhe dhjetori që ndezi shpresën për demokracisë.

Ndaj, një popull që kishte përballuar aq e aq shumë sakrifica dhe pamundësi, mbushi sheshet e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, përmes thirrjes studentore: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”

Largpamësia dhe mençuria vizionare e studentëve shqiptarë të atij brezi, bëri bashkë menjëherë punëtorët dhe intelektualët, pedagogët dhe shkencëtarët, bëri me vete gjithë popullin shqiptar, i cili pa asnjë mëdyshje, por me bindje dhe vullnet patriotik përcaktoi edhe rrugën e të ardhmes së tij.

Është pikërisht kjo arsyeja se pse 8 dhjetorin e nderojmë dhe e festojmë si Ditën Kombëtare të Rinisë, duke shprehur në këtë mënyrë sa mirënjohjen ndaj studentëve dhe të rinjve të asaj kohe, edhe përgjegjësinë dhe detyrimin ndaj rinisë shqiptare në çdo kohë.

Mesazhi i kësaj dite është amanet, është mision, është detyrim dhe përgjegjësi.

Idealet e studentëve të dhjetorit 1990 duhet të na frymëzojnë gjithnjë për të punuar me përgjegjësi, me seriozitet dhe përkushtim, në mënyrë që të vazhdojmë pa ndalur rrugën tonë të integrimit euroatlantik.

8 dhjetori është ëndrra e një brezi shprehur në thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, por mbetet edhe aspirata e një kombi për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa”, shkruan Begaj.

Më herët dhe kryeministri Edi Rama uroi  Ditën e Rinisë me vargjet e poetit të madh Migjeni për të përkujtuar 8 dhjetorin.

“Mirëmëngjes, dhe me vargjet e një kolosi të madh të letrave shqipe, në këtë të Ditë të Rinisë, ju uroj të gjithëve t’ia kaloni sa më mirë, ndërsa ti, “Rini, thueja kangës ma të bukur që di!

Thueja kangës sate që të vlon në gji.

Nxirre gëzimin tand’ të shpërthejë me vrull…

Mos e freno kangën! Le të marri udhë.

Thueja kangës, rini, pash syt e tu…

Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu

me zjarrm tand, rini… Dhe të na mbysi dallga prej ndjenjash të shkumbzueme q’i turbullon kanga.

Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi

Kumbi i zanit të përplaset për qiellë

dhe të kthejë prap te na – se hyjt ta kanë zili

e na të duem fort si të duem një diell.

Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!

Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote”, shkruan Rama.

Edhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar përmes një postimi.

“Gëzuar 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë!

32 vite më parë Lëvizja Studentore me në krye Azem Hajdarin vrau frikën dhe përmbysi mitin e diktaturës më brutale në kontinent.
8 Dhjetori e futi Shqipërinë në rrugën e Lirisë dhe të Demokracisë! Sot kur pluralizmi politik, liria dhe demokracia janë nën agresionin e një regjimi të dhunshëm kleptokratik është koha për një angazhim historik të të rinjve dhe të rejave në mbrojtjen e Lirisë dhe Demokracisë. Kjo është rruga për të ndaluar shpopullimin dhe garantuar një Shqipëri që u përket të rinjve. Gëzuar 8 Dhjetorin!.”/albeu.com


Shtuar 8.12.2022 09:36