Dëshmia/ Ja çfarë thotë polici për pajisjen përgjuese
Gjykata ka vendosur masën "arrest shtëpie", për oficerin e policisë shqiptare, Entiol Xhelilaj, i cili për llogari të hetimit në lidhje me pajisjen “IMSI Catcher”, ka pranuar se në disa raste ka drejtuar i vetëm makinën BMW, ku ishte vendosur aparatura e përgjimit.

Para vendosjes së masës së sigurisë oficeriXhelilaj është marrë në pytje, në Prokurori. Bazuar në librin e hyrje-daljeve të repartit, prokurorisë i ka rezultuar se Entiol Xhelilaj ka lëvizur disa herë makinën ku ndodhej pajisja përgjuese, transmeton Panorama.

"Nga këqyrja e librit të hyrjedaljeve të mjeteve dhe personave në F.O, del qartë se ai ka hyrë e ka dalë me mjetin, të paktën dy herë, duke qenë në drejtim të tij. Ai ka hipur në automjet edhe ditën kur ka dalë vendimi i sekuestrimit për mjetin dhe pajisjen", thuhet në vendimin e Gjykatës që la në arrest shtëpie efektivin e policisë.

Burime nga hetimi thanë se kur është pyetur për këtë fakt, Entiol Xhelilaj ka thënë se ka hipur në makinën tip BMW, ku ndodhej pajisja “për qejf”.

Ai ka shtuar se e ka bërë këtë veprim me dëshirën e tij për të marrë informacion për mënyrat e procedurat se si punohej me makinën në fjalë. Sipas Prokurorisë, ky fakt është në kundërshtim me ligjin për arsye se aparatura e përgjimit duhej t’i përmbahej qëllimit për të cilin pretendohet se ka ardhur në Shqipëri, pra trajnimit.

Dhe së dyti, efektivi i policisë Entiol Xhelilaj që ka lëvizur mjetin në dy raste, nuk ka pasur asnjë të drejtë ta bënte këtë.

"Nga verifikimet ka rezultuar se ai nuk ka qenë as pjesë e stafit ndihmës të palës italiane që ka ardhur në Shqipëri dhe as pjesë e trajnimit që pretendohet se do të kryhej me aparaturën ‘IMSI-Catcher’", thanë burimet e grupit të hetimit.

Sipas tyre, kjo situatë e bën edhe më të rëndë faktin se efektivi i policisë që nuk ishte pjesë e trajnimit, që nuk kishte certifikatë sigurie e që nuk duhej të kishte asnjë kontakt me makinën ku ndodhej pajisja, e ka marrë atë nga ambientet e FLO dhe ka lëvizur me të nëpër Tiranë. /albeu.com/
Shtuar më 14/06/2016, ora 08:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori