Dëshmia e rrallë: Në provokacionet e gushtit 1949, Enveri s’erdhi asnjëherë në front dhe s’merrte vesh as nga hartat

Intervista me kolonel Skënder Malindin, oficerin madhor që ishte diplomuar në akademitë ushtarake të Italisë dhe Bashkimit Sovjetik e në vitin 1949 kur sapo ishte emëruar si komadant i Shkollës së Bashkuar në Tiranë, u thërrit urgjentisht nga Mehmet Shehu për të shkuar në Korçë dhe për të drejtuar luftimet e ushtrisë shqiptare në vijën e frontit kundër ushtrisë monarkiste greke që ishte futur në territorin shqiptar në ndjekje të forcave komuniste greke të Niko Zaharjadhist dhe gjeneralit Markos Vafjadhis.

Cilët ishin oficerët e lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare që shkuan në vijën e frontit dhe përse Mehmet Shehu nuk pranoi që të qëllonte mbi gjeneralin amerikan, Van Flit…?!

Nga Dashnor Kaloçi

“Në një prej atyre ditëve, kur shtabi ynë i komanduar prej Mehmet Shehut ndodhej në vend-komandën e malit të Moravës, gjeneral Markos Vafjadhis, komandant i përgjithshëm i forcave partizane të komunistëve grekë dhe gjeneral Barxhota, që komandonte forcat e instaluara në malin e Gramozit, e njoftuan Mehmetin që në orën 10 të paradites të fillonte goditja me artileri e majës së Alices, pasi në atë orë aty do të shkonte këshilltari amerikan, strategu i njohur, gjenerali Van Flit, me Shtabin e e Përgjithshëm të forcave qeveritare greke. Unë e lexova i pari atë njoftim dhe kur e mori Mehmet Shehu në dorë tha: ‘ǒështë kjo, pse aventura do bëjme ne?’

Njeriu që dëshmon për herë të parë mbi ato ngjarje të panjohura të ndodhura në gushtin e vitit 1949 në kufijtë jugorë-lindorë të Shqipërisë me Greqinë, të njohura ndryshe si “Provokacionet e gushtit”, është koloneli në pension, Skënder Malindi, ushtaraku madhor që ka drejtuar realisht të gjitha luftimet dhe ka përpiluar planet e operacioneve sipas udhëzimeve që i jepte Mehmet Shehu. Po, si u njoftua udhëheqja e lartë në Tiranë për fillimin e trazirave në kufijtë e jugut, dhe çfarë masash morën fillimisht Enver Hoxha me Mehmet Shehun për përballimin e situatës së krijuar? Nga kush përbëhej grupi operativ i caktuar për të shkuar në vijën e frontit dhe sa ishte numri i forcave të armatosura shqiptare që u instaluan në kufijtë juglindorë të vendit?

Si i mbante Mehmeti lidhjet me Enverin në Tiranë, në çfarë gjuhe komunikon ata dhe përse Mehmeti nuk pranoi të qëllonte me artileri majën e malit Alice, ku do shkonte këshilltari amerikan, gjenerali Van Flit, së bashku me Shtabin e Përgjithshëm të forcave monarkiste të qeverisë greke? Lidhur me këto, e fakte të tjera të panjohura nga ato ngjarje të largëta të vitit 1949, të njohura ndryshe si “Provokacionet e Gushtit”, na njohin dëshmitë e zotit Skënder Malindi, ish-komandant divizionesh e zv/drejtor i përgjithshëm i Përgatitjes Luftarake të Ushtrisë, i diplomuar fillimisht në shkollat ushtarake të Italisë dhe më pas në Akademinë “Frunxe” të Moskës.

Zoti Malindi, kur u njoftuat për trazirat që po ndodhnin në kufirin jugor me Greqinë?

Lajmin për provokacionet që po na bënin forcat qeveritare greke në kufijtë tanë të jugut ne e mësuam diku aty nga ditët e fundit të korrikut apo fillimi i gushtit të vitit 1949. Në atë kohë unë sapo isha emëruar komandant i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë dhe ndodhesha në një stërvitje të madhe që zhvillohej aty në shkollë. Në atë stërvitje, e cila ishte dhe e para që zhvillohej me harta, merrnin pjesë të gjithë oficerët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, së bashku me këshilltarët sovjetikë, me në krye shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Beqir Balluku. Para fillimit të stërvitjes, aty erdhi vetë Enver Hoxha dhe, pasi qëndroi për disa minuta, ai u largua. Teksa ishim duke zhvilluar atë stërvitje, na njoftuan nga Ministria se nga Divizioni VIII i Korçës kishte ardhur një radiogram ku njoftohej për provokacionet e grekëve.

Konkretisht, çfarë thuhej në radiogramin që ju dërgonte Divizioni i Korçës?

Në radiogramin e Divizionit VIII të Korçës, të ardhur në Ministrinë tonë të Mbrojtjes në datën 2 gusht, bëhej e ditur se

forcat qeveritare greke kishin goditur me mortaja dhe artileri kodrën 1309 mbi Vidohovë dhe si rezultat i atyre goditjeve aty kishin mbetur të vrarë dy oficerë dhe gjashtë ushtarë. Dy oficerët e vrarë ishin: komandanti i kompanisë, kapiten Memo Nexhipi nga Dukaj i Tepelenës dhe komisari, një djalë i mrekullueshëm nga Vëndresha e Skraparit, të cilit fatkeqësisht tani nuk ia kujtoj dot emrin.

Lajmi për provokimet e grekëve në kufijtë e jugut ishte i papritur për ju, apo priteshin që të ndodhnin ngjarje të asaj natyre…?

Ndonëse udhëheqja e lartë e partisë sonë kishte lidhje të ngushta me Partinë Komuniste të Greqisë, që kryesohej nga Niko Zahariadhis dhe informohej për gjithçka që po ndodhte atje, lajmi që na dha Divizioni ynë VIII, që ndodhej i instaluar në Korçë, ishte i papritur dhe na shqetësoi të gjithëve. Me një fjalë ne nuk e prisnim që të na bëheshin provokacione nga grekët në kufijtë e jugut.

Çfarë masash u morën pas atij lajmi?

Pas marrjes së atij lajmi jo të zakontë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Beqir Balluku, menjëherë na thërriti në një mbledhje në Ministri, ku u diskutua për situatën e krijuar dhe masat që do merreshin. Tek të gjithë ushtarakët e lartë të Shtatmadhorisë vërehej shqetësimi për gjendjen e krijuar. Gjëja e parë që u bë ishte nisja për në Korçë e Petrit Dumes, komandantit të Divizionit VIII, i cili kishte ardhur në Tiranë për stërvitjen që po bënim në Shkollën e Bashkuar. Pas kësaj, Beqir Balluku mori një hartë me reliev plastik dhe menjëherë u nis për në shtëpinë e Enver Hoxhës, për ta njohur me situatën e krijuar në kufijtë e jugut.

Me atë hartë plastike, të cilën e kishte përgatitur major Filip Geci nga Shkodra, që kishte mbaruar për Topo-gjoodezi në Firence, Beqiri ishte munduar t’ia shpjegonte Komandantit të Përgjithshëm të gjithë gjendjen e krijuar, por Enveri nuk merrte vesh fare nga hartat. Pas kësaj, Beqiri u detyrua që të më telefononte mua duke më thënë: “Merre hartën tjetër të Vidohovës dhe hajde urgjent këtu tek shtëpia e shokut Enver!” Unë mora menjëherë hartën që kërkonte Beqiri dhe nga Ministria e Mbrojtjes, e cila asokohe ndodhej aty në godinën ku sot është korpusi qendror i Universitetit Shtetëror të Tiranës, u nisa menjëherë tek shtëpia e Enverit, ku tek porta më ndaloi kapiten Çeno Nushi, vëllai i Gogo Nushit. Pasi ia dorëzova hartën atij, u largova duke u kthyer përsëri për në zyrë në ministri.

Pas takimit të Beqir Ballukut me Enverin, çfarë masash u morën për gjendjen e krijuar?

Pas takimit me Enverin, Beqiri u kthye përsëri në ministri dhe aty u formua një grup operativ për të drejtuar situatën në të cilën ndodheshim. Në krye të atij grupi u caktua ministri i Brendshëm, gjeneral-leitnant Mehmet Shehu, i cili vlerësohej si një nga ushtarakët më të përgatitur dhe më të aftë nga gjithë të tjerët. Pas tij bënin pjesë: Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Beqir Balluku; Drejtori Politik i Ushtrisë, gjeneral-major Hysni Kapo; Drejtori Operativ, major Nexhip Vinçani; Komandanti i Artilerisë, gjeneral-major Tahir Kadare; Drejtori i Përgatitjes Luftarake, gjeneral-major Gjin Marku; Drejtori i Xhenjos, kolonel Veli Dedi dhe Drejtori i Zbulimit, kolonel Teme Sejko. I gjithë ky grup operativ, nën komandën e Mehmet Shehut, u nis menjëherë në zonën e Korçës, duke u instaluar në vendkomandën e Shtabit, që ndodhej në malin e Moravës.

Në atë kohë që grupi operativ ishte vendosur atje, Mehmet Shehu ishte zënë keq me Ernest Jakovën, të cilin e kishte përzënë, duke e kthyer urgjent në Tiranë, me masë disiplinore ndalimi në garnizonin e kryeqytetit. Pas kësaj, Mehmeti kishte dhënë urdhër në minstri, që të nisesha unë urgjent për në Korçë, për të zëvendësuar Ernest Jakovën. Mehmeti kishte thënë që unë të nisesha pa humbur kohë, me çfarëdolloj mjeti që të gjeja. Në atë kohë unë sapo isha bërë komandant i Shkollës së Bashkuar dhe makina që kisha në përdorim ishte një “Moskviç” i vogël, me të cilin nuk mund shkoja dot deri në Korçë. Kështu u detyrova dhe mora makinën e kolonel Shefqet Peçit (Drejtor i Prapavijës së Ushtrisë), me të cilën, bashkë me major Xhevdet Petrelën, në datën 4 gusht udhëtuam për në Korçë, duke shkuar pastaj në këmbë deri në front. Aty iu paraqita menjeherë Mehmet Shehut.

Çfarë detyre ju ngarkuan atje?

Në vend-komandën e Shtabit në Moravë, Mehmet Shehu më tha: “Dëgjo Skënder, këtu do të bësh çdo gjë sipas atyre që ke mësuar në akademinë ushtarake në Moskë”. Në atë kohë që shkova unë atje nuk kishte filluar akoma lufta dhe nga ana jonë ishin marrë të gjitha masat për dislokimin e forcave të armatosura në të gjithë kufirin me Greqinë.

Sa forca të ushtrisë shqiptare u dërguan në atë kohë në kufijtë e jugut?

Për të përballuar atë situatë ne kishim dislokuar aty Divizionin VIII të Korçës, të komanduar nga kolonel Petrit Dume (komandant), komisar Sejdi Avdia dhe shef Shtabi Llazi Angjeli, të cilët i kishin vendosur forcat e tyre nga Qafa e Kazanit deri në Kapshticë. Pas këtij divizioni, i cili ishte vendosur në vijën e parë të frontit, erdhi në përforcim edhe Brigada e Këmbësorisë së Vlorës, e komanduar nga nënkolonel Muhamet Prodani, e cila u vendos në fshatin Zvezdë të Korçës. Po kështu, në përforcim erdhi dhe një regjiment i Tiranës, i cili u vendos në Maliq, dhe një i Elbasanit, që u vendos në Devoll.

Sa ishte numri i këtyre forcave që u vendosën atje dhe sa ishte ai i të gjitha forcave të armatosura të ushtrisë shqiptare në atë kohë?

Numri i forcave që u vendosën në atë kohë për të përballuar provokacionet e grekëve shkonte në rreth 10 mijë vetë, ndërsa e gjithë ushtria shqiptare kishte rreth 40 mijë vetë. Ndonëse të gjitha këto forca ishin të gatshme për të luftuar, vetëm një pjesë e tyre zhvilloi luftime direkte me forcat monarko-fashiste greke, siç i quanim ne ata në atë kohë.

Kush i drejtonte luftimet atje në front?

Të gjithë ne ishim nën urdhrat e Mehmet Shehut dhe ai vendoste për çdo gjë, që nga vendkomanda e shtabit në Moravë. Që në fillimin e luftimeve, Mehmet Shehu më urdhëroi mua që të përgatisja gjithë planin e operacionit dhe urdhrin e luftimit, të cilin ne e ndryshonim çdo ditë sipas situatës. Gjatë ditës Mehmeti dilte vetë për të inspektuar forcat që kishim në vijën e parë të frontit, ndërsa mbrëmjeve na mblidhte gjithë grupin dhe na jepte udhëzimet e nevojshme.

Sa ditë zgjatën luftimet në Provokacionet e Gushtit dhe a erdhi ndonjëherë aty Enver Hoxha?

Provokacionet e Gushtit zgjatën rreth një muaj dhe Enveri nuk erdhi asnjë ditë aty në front, por ai informohej me telefon çdo ditë nga Mehmet Shehu dhe bisedat mes tyre i bënin në frëngjisht.

Gjatë asaj kohe a kishit lidhje me forcat komuniste greke të gjeneralit Markos Vafjadhis dhe a takoheshit personalisht me ta?

Me forcat komuniste greke të gjeneralit Markos ne kishim lidhje të vazhdueshme dhe ata na njoftonin për çdo veprim që pritej të ndërrmernin forcat qeveritare monarkiste greke. Me urdhër të Mehmetit, kur nuk kishte filluar akoma lufta, unë dhe Petrit Dume shkuam në malin Gramoz (në tokën greke) dhe aty morëm takim me shtabin e gjeneralit Barxhotas. Ata na pritën shumë mirë, por ne e ndjemë veten shumë inferiorë, për faktin se ne ishim veshur shumë keq dhe u habitëm kur i gjetëm ata të hekurosur e të lustruar si për paradë, e me zyra tepër komode me tapete të rëndë. Pasi na qerasën me konjak e çokollata, ata na treguan taktikat që mund të përdornin ndaj nesh forcat monarkiste qeveritare greke.

Pasi qëndruam rreth tri orë aty në shtabin e tyre gjithë luks, ne u kthyem dhe i raportuam Mehmet Shehut. Përveç këtij takimi që bëmë me forcat komuniste në tokën greke, ne informoheshim rregullisht çdo ditë prej tyre. Kështu, më kujtohet në një rast kur gjeneral Marko Vafjadhis dhe gjeneral Barxhota e njoftuan Mehmet Shehun që në orën 10 të paradites të fillonte goditja me artileri e majës së Alices, pasi në atë orë aty do të shkonte këshilltari amerikan Van Flit me Shtabin e Përgjithshëm të forcave greke. Unë e lexova i pari atë njoftim dhe, kur e mori Mehmet Shehu në dorë, tha: “Çështë kjo, pse aventura do bëjme ne?” Mehmet Shehu shpesh herë nxehej me mënyrën e taktikat që përdornin forcat partizane greke. Në mbledhjet që bënim, ai na thoshte se forcat e gjeneralit Markos nuk duhej të bënin luftë frontale, pasi nuk kishin epërsi në njerëz dhe armatime. Por ato duhej të godisnin të parët armikun, duke e dëmtuar në prapavija e ndërlidhje, pa e lënë të organizohej në luftë frontale.

Cilat ishin luftimet më të ashpra që keni zhvilluar në Provokacionet e Gushtit?

Tri katër ditë pas letrës që na dërgoi gjeneral Barxhota, forcat qeveritare greke sulmuan malin e Vicit dhe, pasi e morën atë duke i shpartalluar plotësisht forcat partizane të gjeneralit Markos, i ranë malit të Gramozit, ku ishin përqendruar shumë forca të tjera të komunistëve grekë, të cilët pretendonin se aty ishin të pathyeshëm. Për të bërë rrethimin e forcave partizane

të komunistëve grekë, forcat qeveritare monarkiste u futën në tokën tone, në vendin e quajtur Posta e Gurtë, në Trestenik të Devollit, ku u ndeshën me një qëndresë të fortë. Aty u zhvilluan luftime të përgjakshme dhe nga ana jonë u vranë mbi 100 e sa ushtarë dhe oficerë. Aty na u vra edhe komandanti i batalionit, Riza Mestani nga Spathara e Skraparit. Të plagosurit ne i kthenim në spitalin e Korçës, ku erdhën dhe shumë prindër ushtarësh, kryesisht nga Veriu, të cilët kërkonin me ngulm që të vinin vullnetarë në front në vend të djemve të tyre. Në spitalin e Korçës të plagosurit i vizitoi edhe Mehmet Shehu.

Po nga forcat qeveritare greke sa të vrarë pati?

Edhe nga grekët pati të vrarë, por numrin e saktë të tyre ne nuk e mësuam dot kurrë. Të gjitha ato luftime, ku forcat qeveritare greke ndeshën në një rezistencë të fortë, i kam drejtuar unë, sipas urdhërave të Mehmet Shehut. Pasi grekët dështuan në orvatjen për t’u marrë krahët forcave partizane të Markosit, ata sulmuan në mënyrë frontale dhe për katër ditë pushtuan të gjithë Gramozin. Në fitoren e forcave qeveritare greke ndikoi shumë aviacioni anglo-amerikan, i cili bëri bombardime të shumta mbi forcat partizane komuniste të gjeneralit Markos. Pas kësaj me mijëra partizanë e komunistë grekë u detyruan të futeshin në territorin shqiptar, duke dorëzuar më parë armët në kufirin tonë. Kjo gjë shënoi edhe fundin e trazirave të Provokacioneve të Gushtit të vitit 1949, të cilën forcat qeveritare greke e festuan duke hedhur fishekzjarre në të gjithë vijën e kufirit. Në ditët që pasuan më vonë pati vetëm konflikte sporadike.

Pas mbarimit të luftimeve, çfarë bëri shtabi juaj, a vazhduat të qëndronit përsëri në Moravë?

Pas kësaj nga Morava ne u tërhoqëm, duke u vendosur në qytetin e Korçës dhe Mehmet Shehu iku për në Tiranë, duke lënë si zëvendës të tij gjeneral Tahir Kadarenë, ndërsa zëvendës i Tahirit isha unë dhe Teme Sejko. Në Korçë ne qëndruam rreth 20 ditë, duke mbajtur lidhje të vazhdueshme me kufirin dhe më pas u kthyem në Tiranë.

Kur erdhët në Tiranë, a u bënë analiza dhe konkluzionet e Provokacioneve të Gushtit?

Analiza e konkluzione për Provokacionet e Gushtit nuk u bënë kurrë, si duket gjithçka u mjaftua vetëm me analizat që na bënte Mehmet Shehu kur ishim në front.

Bashkangjitur këtij shkrimi po publikojmë dhe disa foto të rralla të ish-ushtarakëve madhorë shqiptarë që morrën pjesë në ato ngjarje të gusht-shtator 1949, si: Gjeneral-major, Mehmet Shehu, gjeneral-major, Beqir Balluku, gjeneral-major, Petrit Dumer, Kolonel Skënder Malindi, gjeneral-major, Gjin Marku, gjeneral-major, Nexhip Vinçani, gjeneral-major, Tahir Kadare, gjeneral-major, Shefqet Peçi, gjeneral-major, Hysni Kapo, gjeneral-major, Veli Dedi, si dhe gjeneralin amerikan, Jemes A Van Fleet, gjeneralin grek, Markos Vafjadhis, etj.

(Kjo intervistë me z. Skënder Malindi është realizuar në gushtin e vitit 2004 dhe e risjellim për lexuesit me rastin e 70 vjetorit të atyre ngjarjeve që njihen ndryshe si “Provokacionet e gushtit 1949” si dhe në shenjë homazhi për z. Malindi, i konsideruar si një nga ushtarakët më të përgatitur të Ushtrisë Shqiptare, i cili u persekutua nga regjimi komunist pas goditjes së të ashtuquajturit “Grupi puçist në Ushtri”). /Tema/
Shtuar më 05/08/2019, ora 10:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori