Dëshmia e italianit: Do negocionim me një firmë uji, pajisja nuk është për përgjim
Një tjetër pajisje që dyshohet se kryen përgjime ka hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar.

Mbrëmjen e së dielës, autoritetet policore në Portin e Durrësit kanë shoqëruar shtetasin italian Giambattista Intrini, i cili po dilte nga Shqipëria me një pajisje të dyshuar si përgjuese.

Sipas policisë, gjatë kontrollit 47-vjeçarit iu gjet një aparaturë elektronike e dyshimtë, e cila është dërguar për ekzaminim në laboratorin shkencor.

Ndërkohë, burime nga policia e qytetit bregdetar dje bënë me dije se italiani, i cili shoqërohej nga një femër (Ana Maria Tevertini) do të hetohet në gjendje të lirë.

Burime nga grupi hetimor thanë për “Gazeta Shqiptare” se 47-vjeçari kishte ardhur para pak ditësh në Shqipëri dhe mbrëmjen e së dielës po largohej drejt Italisë me tragetin e linjës Durrës-Bari.

Por, gjatë kalimit në pikën kufitare, policia zbuloi pajisjen e dyshimtë dhe shoqëroi në komisariat dy shtetasit italianë. Pas marrjes në pyetje, italiani Intrini është shprehur se është inxhinier uji, ndërsa kjo pajisje shërben për të matur cilësinë e ujit. 47-vjeçari nuk ka pranuar të tregojë se nga kush autoritet publik apo agjenci private është kontraktuar për të ofruar shërbimet e tij.

Do të jetë ekspertiza që do të konfirmojë se për çfarë shërben realisht pajisja që u gjet në posedim të italianit.

DËSHMIA E ITALIANIT

“Kam ardhur në Shqipëri pak ditë më parë dhe po largohem për në vendin tim. Kam ardhur bashkë me zonjën (shoqëruesen), pasi do të negocionim me një firmë uji të pijshëm.

Unë jam inxhinier ujërash dhe kjo pajisje nuk është ashtu si mendoni ju (për përgjime), por shërben për matjen e cilësisë së ujit. Merreni dhe verifikojeni.

Është thjesht një pajisje që më shërben për profesionin tim. Nuk kam të drejtë të jap më shumë shpjegime. Nuk ka rëndësi kush janë eprorët e mi. Siç u thashë, jam inxhinier dhe kjo që po më ndodh këtu nuk është aspak normale.

Nëse nuk njihni aparatet e matjes së cilësisë së ujit, ky është problemi juaj. Unë dua të largohem menjëherë nga Shqipëria, pasi unë dhe kolegia ime jemi shumë të irrituar me situatën e krijuar”, ka pohuar Giambattista Intrini.

Pavarësisht deklaratës së 47-vjeçarit italian, policia vijon hetimet për pajisjen që aktualisht është dërguar për ekspertizë në laboratorin shkencor.

HETIMET

Burime pranë grupit hetimor dje bënë me dije se deklarimet e shtetasit italian janë të rreme, pasi pajisja duket që kryen shërbime të tjera elektronike, që nuk kanë lidhje me cilësinë e ujit.

Sipas këtyre burimeve, 47-vjeçari kishte disa ditë që qëndronte në qytetin e Durrësit dhe se ai ka qenë kontradiktor në reagimin e tij para oficerëve të policisë.

“Nëpërmjet sistemit TIMS kemi zbuluar se ata kishin ardhur pak ditë më parë në vendin tonë nëpërmjet pikës kufitare të portit të Durrësit.

Kemi dyshime se italiani po fsheh diçka, pasi pajisja duket qartë se nuk ka funksion matjen e cilësisë së ujit. Pajisjen elektronike e kemi çuar për ekspertizë në laboratorin shkencor, i cili do të zbulojë funksionin e saj.

Paraprakisht dyshojmë se është një pajisje përgjimi, por sikurse theksova, do të jetë laboratori shkencor, ai që do të tregojë se për çfarë shërben realisht kjo pajisje elektronike.

Ndërkohë po mbajmë nën monitorim dhe po hetojmë në gjendje të lirë 47-vjeçarin nga Italia”, thanë hetuesit e çështjes. Aktualisht, policia dhe prokuroria po kërkojnë informacione nga Italia për shtetasin e kapur në portin e Durrësit me pajisjen e dyshimtë.

Nga të dhënat e para, sipas policisë, ai rezulton person i paskeduar nga policia italiane dhe nuk është në listën e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli. /GSH/
Shtuar më 05/12/2017, ora 11:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori