Priten përmbytje? Ministri Peleshi “vë alarmin” për javën e ardhshme: Reshje të dendura në të gjithë vendin

Java e ardhshme do të sjellë reshje shiu mesatare dhe të dendura në të gjithë territorin. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi me anë të një postimi në rrjete sociale shkruan se reshjet nuk paraqesin rrezik për përmbytje.

Peleshi u bën thirrje bashkive që të marrin të gjitha masat për të bërë menaxhimin e çdo lloj situate.

Postimi i Niko Peleshit:

Nga parashikimi i Shërbimit Meteorologjik në Shqipëri, gjatë javës në vazhdim në të gjithë vendin do të ketë reshje mesatare dhe të dendura.

Reshjet që priten gjatë javës, konsiderohen normale dhe nuk paraqesin rrezik për përmbytje, megjithatë, strukturat e sistemit të mbrojtjes civile janë në gatishmëri për të menaxhuar çdo situatë të mundshme.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile gjejnë rastin për t’u bërë thirrje të gjitha bashkive që të mbajnë në gatishmëri strukturat dhe kapacitetet e tyre për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Kjo situatë do të vazhdojë deri më datë 12 tetor kur do të kemi reshje të izoluara vetëm në dy qarqe, Dibër dhe Vlorë. /albeu.com/