Dervishaj: Transporti Ndërqytetas ka nevojë për riorganizim dhe rinovim të autobuzëve
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj, ka pritur ditën e sotme kryetarin e Shoqatës Kombëtare të Transportit Ndërqytetas, Kujtim Mema dhe Marenglen Poreçin, kryetar i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve.

Fokusi i këtij takimi ishte reforma në Transportin Ndërqytetas dhe problematikat që kanë operatorët. Ministri Dervishaj tha se Ministria është në dijeni të problemeve që ka ky sektor, dhe ofroi bashkëpunimin për ti tejkaluar.

Dervishaj gjithashtu kërkoi bashkëpunimin e të gjithë operatorëve por edhe mirëkuptimin e tyre, për ta aplikuar në tërësi paketën ligjore.

Duke u ndalur te çështja e vjetërsisë së autobuzëve, ministri tha se operatorët duhet të kenë një organizim më të mirë dhe të rinovojnë flotën e autobuzëve që kanë në përdorim.

"Është koha për më shumë disiplinim në sistemin e Transportit Ndërqytetas, dhe duhet të rritet cilësia e shërbimit ndaj udhëtarëve, një nga arsyet kryesore e implementimit të kësaj reforme", tha Dervishaj.

Përfaqësuesit e Shoqatave të Transportit ngritën shqetësimin për mungesën e terminaleve të autobuzëve, duke kërkuar nga Ministria që të ushtroje më shumë ndikim ndaj Bashkive për të ndërtuar terminalet e reja. /albeu.com/


Shtuar më 23/11/2016, ora 15:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori