Dervishaj: Situata e hekurudhave është e rënduar, priten zhvillime vitin tjetër
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj, ka prezantuar në Parlament, Kodin Hekurudhor. Ministri Dervishaj, tha se ky dokument është hapi i parë drejt rioganizimit tërësor të Hekurudhës shqiptare, dhe është hartuar në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Europian.

Dervishaj theksoi se situata aktuale e hekurudhave është e rënduar, si në aspektin teknik dhe atë financiar, por pavarësisht kësaj, priten zhvillime pozitive gjatë vitit 2017.

Bashkimit Europian ka besim ndaj potencialit zhvillues të hekurudhës shqiptare, tha Dervishaj, prandaj është siguruar shuma prej rreth 90 ml euro, për të ndërtuar linjën e re hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës, një pjesë me grand nga Samiti i Parisit në kuadër të Procesit të Berlinit, dhe pjesa e mbetur falë kredisë së butë nga BERZH.

Sipas ministrit, kjo linjë është shumë e rëndësishme, dhe përbën një hap konkret për modernizimin e hekurudhës.

Dervishaj tha se synohet gjithashtu rehabilitimi i linjës Durrës-Rrogozhinë-Elbasan-Pogradec-Lin dhe më tej me Maqedoninë, për të cilën ka filluar studimi i fizibilitetit, linjë e rëndësishme që gjithashtu është pjesë e Korridorit 8. Ndërkohë synohet lidhja hekurudhore edhe me Greqinë.

Ministri tha se pas miratimit, ky kod do të kërkojë 1 vit kohë për të hyrë në fuqi, për tu plotësuar me aktet nënligjore dhe ngritjen e kapaciteteve. /albeu.com/


Shtuar më 17/11/2016, ora 15:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori