Dervishaj: Në 2017 mbarojnë punimet për rrugën Tiranë-Elbasan
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj, ka raportuar për buxhetin e Ministrisë për vitin 2017, në Komisionin Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit.

Ministri Dervishaj tha se buxheti i vitit 2017, në total shkon në 31 miliard lekë, më i lartë se i viteve të mëparshme, por që nuk i plotëson kërkesat e Ministrisë në infrastrukturë.

Me këtë buxhet, Dervishaj tha se synohet të përfundojnë disa projekte të rëndësishme, që kanë filluar para vitit 2013 dhe ende nuk janë mbyllur. Ministri ju përgjigj edhe pyetjeve të deputetëve, për projekte konkrete rrugore duke u ndalur te projekti për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, Bypassin e Fierit, segmentin Lin-Pogradec dhe Rrugën e Kombit.

Në lidhje me çmimet e larta të biletave të linjave ajrore, Dervishaj tha se shumë shpejt do të nënshkruhet një Memorandum bashkëpunimi, që do i hapë rrugë ardhjes së kompanisë (low cost) WIZZAIR, në prill të 2017.

"Buxheti i Ministrisë për vitin 2017 është rritur në raport me vitin 2016 dhe 2015. Në vlera konkrete shkon në 31 miliard lekë. Padyshim nuk është buxheti më i mirë i mundshëm, që ka nevojë sektori i transportit dhe infrastrukturës. Pavarësisht, brënda këtij buxheti jemi përpjekur të racionalizojmë fondet që kemi në dispozicion dhe të përfundojmë projekte prioritare veçanërisht në akset kombëtare rrugore.

Në planifikimin e Ministrisë, është mbajtur parasysh edhe shmangia e detyrimeve të reja, problematikë që është diskutuar në Parlament dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Vetem 9 % e buxhetit është për investime të reja në rrugë.
Por dua të nënvizoj se gjatë këtyre viteve na ka munguar një qasje strategjike për konceptin e akseve rrugore. Jemi marrë shumë me rrugët, por kemi harruar sektorin detar. Kemi lënë pas dore portet. Nuk duhet të harrojmë se të gjitha rrugët na lidhin me portet si Rruga e Kombit, Bypassi Fierit e Vlorës. Ne ndërtojmë rrugë që të çojnë në det, dhe s’kemi ndërtuar porte.

Duhet ta planifikojmë në mënyrë strategjike qasjen ndaj transportit detar. Ne duhet të mbarojmë rrugët e nisura në Qeverinë e Partisë Demokratike, që në fakt duhet të përfundonin po gjatë Qeverisë së Partisë Demokratike.

Arsyet pse nuk janë mbyllur punimet janë të shumta. Mungesa e efikasitetit në projektim ka qenë problem i madh, pa harruar dhe ligjin që penalizon kompanitë shqiptare.

Nuk është përgjegjësi e kësaj Qeverie, pasi kemi disa projekte si Qukës-Qafë Pllocë, Rruga Tiranë-Elbasan që projektet kanë ndryshuar disa herë. Në lidhje me aksin rrugor Lin- Pogradec konkretisht hyrja e qytetit të Pogradecit besoj do të marri zgjidhjen e duhur dhe do ta përfundojmë brënda afatit të caktuar.

Punimet për rrugën Tiranë -Elbasan po vijojnë me intensitet dhe besoj se do të përfundojë brenda vitit 2017. Për bypassin e Fierit, një arterie e rëndësishme rrugore, punimet kanë rifilluar me intensitet dhe kam besim se nëse nuk do të ketë më probleme ligjore mes firmave, punimet do të mbyllen në verën e 2017.

Dua te theksoj se ka një problematikë. Sot në Shqiperi ndërtojnë rrugë 4 institucione, Autoriteti Rrugor Shqiptar, që e ka detyrim dhe ka tagrin kushtetues, por edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Fondi i Rajoneve dhe bashkitë. Por standartet s’janë të njëjta, prandaj kjo është një çështje që duhet zgjidhur.

A mund të shkonin paratë që janë financuar këto fonde, në përfundimin e akseve nacionale? Patjetër që po, dhe kjo është një çështje që duhet diskutuar. Në këtë drejtim mund dhe duhej të ishte treguar më shumë kujdes.

Për Rrugën e Arbrit, dua të them se është pushuar oferta nga kinezët, por ka një ofertë nga kompania shqiptare “Gjoka Konstruksion”, që po vlerësohet. Por më duhet të them se në aspektin financiar është një kërkesë shumë e pranueshme.

Rruga e Kombit, është një rrugë strategjike për vendin. Aktualisht jemi në fazën ku në bashkëpunim me “IFC”, do të fillojmë së shpejti negociatat me kompaninë që u shpall fituese nga “KPP”.

Por një element që e konsideroj shumë të rëndësishëm, lidhet me interesin e banorëve të Kuksit, për të mos i rënduar në aspektin ekonomik. Ky është element i rëndësishëm që do e kemi parasysh gjatë negociatave. E rëndësishme është që kompanitë, të fillojnë nga puna sa më shpejt, për ta përfunduar rrugën në radhë të parë, dhe mirëmbajtur.

Ne i kemi kushtuar vëmendje të veçantë në këtë buxhet edhe Ujësjellës-Kanalizimeve, në kuadër të reformës së Ujit, që ka ndërmarrë Qeveria. Dhe besoj se disa vepra të rëndësishme në këtë sektor, do të përfundojnë brënda 6 muajve.

Kam një lajm të mirë edhe për biletat e avionit. Brënda muajit do të nënshkruajmë një “Memorandum Bashkëpunimi” me palën hungareze, duke bërë të mundur ardhjen për herë të parë të një kompanie ndërkombëtare ajrore “low cost” Wizzair, në prill të 2017. E vetmja mënyrë për të hapur tregun është hapja e tij ndaj sa më shumë operatorëve. /albeu.com/



Shtuar më 16/11/2016, ora 15:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori