Deri në 8 vite burg! Njihuni me ndryshimet e reja në Kodin Penal për COVID-19 në Shqipëri
Ditën e sotme me 88 vota pro, 13 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi ka miratuar ndryshimet në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, për ashpërsimin e ndëshkimeve ndaj atyre që do të shkelin masat e marra kundër përhapjes së COVID-1.

Kodi parashikon deri në 8 vite burg për përhapje të COVID-19 me pasoja të mëdha në njerëz.

Më poshtë gjëni të gjitha ndryshimet dhe dënimet përkatëse në lidhje me COVID-19:

Në Nenin 242/1 “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”, parashikohet që një shkelës përsëritës i cili ka marrë më parë një gjobë, do të dënohet sërish me gjobë ose me burgim deri në 6 (gjashtë) muaj.

“Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, në funksion të gjendjes së epidemisë apo të zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 (gjashtë) muaj”.

Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke vendosur në rrezik shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 (dy) vite.

Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinimin ose izolimin apo shkelja e rregullave të karantinës ose të izolimit, nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, të cilit i është njoftuar ky detyrim nga autoritetet shtetërore përkatëse, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 3 (tre) vjet.

Në Nenin 89/b, “Përhapja e sëmundjeve infektive”, parashikohet që kur një person ka pasur dijeni të plotë për veprimet e kryera dhe me to ka përhapur sëmundjen, pasi personi është diagnostikuar si mbartës i sëmundjes apo kur personi ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 5 (pesë) vjet.

“Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve nga personi që është diagnostikuar si mbartës I sëmundjes apo nga personi që ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 5 (pesë) vjet.”

“Kur kjo vepër është kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose burgim deri në 2 (dy) vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose është rrezikshme për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga 3 (tre) deri në 8 (tetë) vjet”.
Shtuar më 16/04/2020, ora 21:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori