Der Standard: Kriminelët zgjidhen kryebashkiakë!
Këto ishin zgjedhjet e para, që kur Shqipëria mori statusin e vendit kandidat. Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR e kritikoi politizimin e institucioneve, që “minoi procesin zgjedhor”.

Drejtuesja e misionit, Audrey Glover, foli direkt për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por në përgjithësi zgjedhjet u cilësuan si të qeta dhe të ndershme. BE përgëzoi qytetarët shqiptarë dhe paralajmëroi se duhen ndjekur rekomandimet e misionit vëzhgues. OJQ-ja “Koalicioni për zgjedhje të lira dhe demokraci të qëndrueshme” nuk identifikoi ndonjë parregullsi domethënëse apo manipulim zgjedhor.

Në katër përqind të rasteve ka ndodhur që votuesit, që ishin në listë, nuk mundën të votonin, në tre përqind të rasteve votuan, edhe pse nuk ishin në listë. Për standardin shqiptar, ky është një sukses. Disa votues fotografuan votën e tyre me celular, për t’ua treguar partive si shenjë besnikërie.

Por kjo është e ndaluar në Shqipëri. Në disa raste, aktivistët e partive qëndronin para qendrës së votimit dhe tundnin kartmonedha. Por në fund të fundit: nuk ka pasur dhunë. Prandaj zgjedhjet lokale të së dielës janë vlerësuar pozitivisht nga bashkësia ndërkombëtare.

I arrestuar për trafik kokaine

Kandidaturat e të dyshuarve si kriminelë u diskutuan gjerësisht përpara zgjedhjeve, por ata nuk u dëmtuan. Platforma Balkan Insight publikoi emrat e tre personave, të arrestuar për veprimtari kriminale. Mes tyre edhe dy kandidatë socialistë për kryebashkiakë: Artur Bushi dhe Elvis Rroshi, që garuan në Krujë dhe Kavajë. Bushi u arrestua në Itali, i dyshuar si anëtar i një bande kriminale që trafikonte kokainë. Bushi dhe Rroshi megjithatë u zgjodhën kryebashkiakë.

Lista të manipuluara zgjedhore në Durrës

Në fakt dy blloqet kryesore politike ranë dakord në vitin 2014 që asnjë person me prejardhje kriminale nuk duhet të marrë poste publike. PD bëri një hap pas, duke tërhequr kandidaturën e Gentian Muhametit, që ishte dënuar për trafik droge në Itali. Problemi është se palët duhet të mbështeten tek kriminelët pasi ata kanë para dhe ndikim për të siguruar vota.

Edhe përbërja e listës zgjedhore shkaktoi konflikte. Prokuroria kërkoi tërheqjen e rreth 2800 emrave në listën zgjedhore të Durrësit, pasi u publikua një lajm se kryebashkiaku i kishte regjistruar këta njerëz, që nuk jetonin në Durrës, nëpër kompani private.

Opozita kritikoi faktin se në qytetin port janë njoftuar shtatë herë më shumë njerëz se dy vjet më parë. Kryeministri Edi Rama deklaroi se zgjedhjet do përsëriten nëse kandidati socialist fiton më pak se 2 mijë vota- dhe ky nuk ishte rasti.

Varësia ekonomike

Edhe presioni ndaj gazetarëve gjatë fushatës zgjedhore ishte i dukshëm. Kështu kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i tha një gazetareje se mund ta pushonte nga puna pasi ata "harrojnë shpesh se kanë një punë dhe me gojën dhe kamerat e tyre mund të dëmtojnë interesat e pronarëve". Në Evropën Juglindore shumë parti votohen pasi njerëzit kanë frikë se humbasin vendin e punës.

Për Lulzim Bashën, kryetar i Partisë Demokratike në Shqipëri, humbja do e vështirësojë mbajtjen e postit. Basha, që ka qenë dhe kryetar Bashkie në Tiranë, nuk mundi të ndahej nga kumbari i vjetër i partisë, Sali .

Basha ishte në hijen e tij dhe kjo është një hije e gjatë. Brenda partisë tani do diskutohet për një fillim të ri- se si të distancohen nga era e Berishës- që është e lidhur me korrupsionin dhe autoritarizmin.

Opozita humbi edhe në veri

Opozita nuk humbi të dielën vetëm postin e kryebashkiakut në Tiranë- Erion Veliaj do jetë shefi i ri. Pas numërimit, 46 nga 61 Bashki do drejtohen nga koalicioni i majtë- vetëm 15 bashki fitoi koalicioni i djathtë. Përveç qytetit konservator Shkodër në veri, të tjerat janë ekonomikisht dhe politikisht pa shumë rëndësi. Një përjashtim ishte Përmeti në jug, tradicionalisht i majtë. Ndërkohë koalicioni i majtë fitoi të gjitha qytetet e mëdha: Tirana, Durrësi, Korça, Vlora dhe Elbasani. /albeu.com/

Përktheu: Mapo.al.


Shtuar më 25/06/2015, ora 18:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori