Deputetja Kadriu akoma ne PDSH?!
Albeu.com
Edhe përkundër shkrimeve në gazetën ditore “Dnevnik” se sot zyrtarisht nga foltorja e parlamentit deputetja nga radhët e PDSH Flora Kadriu do të jetë deputetja e 6 e kësaj partie që do të lëshoj partin dhe do të funksionoj si e pavarur, një gjë e tillë nuk ndodhi.Deputetja Kadriu sot nuk u paraqit në parlament ndërsa ishte e pakapshme për komentim nga ana e mediave. Por nga partia e Menduh Thaçit mohojnë se deputetja Kadriu nuk është pjesë e saj.
“Për Flora Kadriun, nuk janë të vërteta pohimet e disa mediumeve të cilat tregojnë se nuk do të jetë më anëtare e PDSH, nuk do të jetë deputete e PDSH-së”, deklaroi Adriatik Imeri, zëdhënës i PDSH-së.
Por nga partia e Demokracisë së Re së cilës pritet ti bashkëngjitet deputetja Kadriu dhe Besim Dogani theksojnë se nuk është biseduar në këtë temë me deputetët e lartpërmendur, por se dëshirojnë t’i shohin në radhët e partisë së tyre, ata dhe gjithë të interesuarit tjerë që e shohin veten në platformën e DR-së.
“Nuk ka asnjë lloj bisedime mendoj se është çështje të cilën do ta vendosin vet ata deputetet, unë thjesht jap një vlerësim të përgjithshëm. Po sigurisht të gjithë ata që pranojnë mënyrën, programin statutin e DR janë të mirëseardhur të bashkëngjiten në DR pavarësisht janë deputet apo qytetar të lirë në kuptimin që nuk merren me politik pra DR është parti që vepron legalisht që ka platformën, strategjinë, programin të hapur të gjithë ata të cilët gjejnë diçka të përbashkët me këtë mënyrë të funksionimit partiak janë të mirëseardhur”, theksoi Sulejman Rushiti, deputet i DR-së.
Për më pak se një vit nga gjithsej 11 deputet PDSH ka ngelur me 6 deputet për momentin. Nëse realizohet qëllimi i deputetes Kadriu, PDSH do të ngel me 5 deputetë. Fillimisht në shtator 2008 nga partia e Thaçit u largua Imer Selmani dhe dy deputete tjerë Sulejman Rushiti dhe Abedin Zymberi, më pas PDSH largoi Daut Rexhepin-Leka, ndërsa pak kohë më parë e larguan edhe deputetin Besim Dogani për sjellje komprometuese. (alsat/albeu)
Shtuar më 20/05/2009, ora 01:58
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori