Deputeti Shqipërisë i kushton 100 mijë ndërsa Maqedonisë 62 mijë $
Albeu.com
Shpenzimet që bën qeveria shqiptare për një deputet janë 100 mijë $ në vit. Në Maqedoni, çdo deputet kushton rreth 62 mijë $. Ndërsa në Bashkimin Evropian shpenzimet për parlamentarët variojnë nga 250 mijë euro në vit, që i ka Spanja deri në 1,5 milionë euro për parlamentarët e Italisë.Shpenzimet që bën qeveria shqiptare për një deputet janë 100 mijë dollarë në vit. Këto para, që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë shkojnë për të paguar punën dhe dietat e ligjvënësve. Për vitin e ardhshëm, buxheti i shtetit do të japë rreth 14 milionë dollarë për Kuvendin e Shqipërisë. Këto
para do të shpërndahen për pagat dhe dietat e deputetëve, pagat për
shoferët dhe punonjësit e administratës së Kuvendit. Me këto fonde do të mbulohen edhe shpenzime për telefonat celularë të deputetëve, numrat fiks, shpenzimet për karburantet dhe çdo shpenzimet tjetër që ka të bëjë me aktivitetin e Kuvendit. Praktikisht, ky buxhet përfshin të gjithë koston financiare për të mbajtur aparatin e Kuvendit të Shqipërisë. Krahasuar me vitin 2007, financimi i buxhetit për Kuvendin është rritur me 27 për qind ose e konvertuar në para me 3 milionë dollarë.

Pagat

Për pagat e deputetëve përfshirë edhe kontributet e sigurimeve do të harxhohen rreth 506 milionë lekë ose e konvertuar gati 6 milionë dollarë, ndërsa për zërin mallra dhe shërbime rreth 3,8 milionë dollarë të tjera. Pjesa tjetër e parave do të shkojë për shpenzime të ndryshme. Për vitin 2007, shpenzimet për pagat e deputetëve ishin 479 milionë lekë dhe rritja prej 27 milionë lekësh të reja për vitin 2008 vjen kryesisht si pasojë e kompensimit të taksës së sheshtë, që qeveria u ka bërë deputetëve. Administrata e Kuvendit në total së bashku me deputetët parashikohet të arrijë në 440 punonjës nga 434 që është për vitin aktual.
Por veç rrogave të fryra, deputetët kanë edhe një sërë privilegjesh të tjera fiskale. Kështu, një deputet nuk paguan taksa kur kalon kufirin, nuk paguan doganë kur importon makinë dhe ka të drejtën për të marrë kredi me kushte lehtësuese për të blerë shtëpi. Parlamentarët kanë edhe të drejtën e mbajtjes së pasaportave diplomatike për vete dhe familjarët e tyre.

Krahasimet

Në Maqedoni, që është një vend me ekonomi të ngjashme me këtë tonën, çdo deputet kushton rreth 62 mijë dollarë amerikanë ose e thënë ndryshe rreth 40 për qind më pak se deputetët shqiptarë. Ndërsa në Bashkimin Evropian shpenzimet për parlamentarët variojnë nga 250 mijë euro në vit, që i ka Spanja deri në 1,5 milionë euro për parlamentarët e Italisë, shifër kjo
që konsiderohet më e larta në bllokun e Bashkimit Evropian.

Ecuria

Në vitin 1996, Kuvendi i Shqipërisë e kishte fondin 2 milionë dollarë dhe rroga e një deputeti ishte vetëm 320 mijë lekë të reja.
Në vitin 2005, shpenzimet nga buxheti ishin mbi 8 milionë dollarë dhe për vitin 2008 kjo shifër arrin në 14 milionë dollarë. Po pse kaq shumë para nga taksat e popullit? Mos vallë janë shtuar deputetët? Jo. Shifra është konstante:
140 deputetë. Por qeveritë e kanë kthyer administratën e Kuvendit në një strehë për militantët e tyre. Çdo pesëmbëdhjetë ditë në bordero vendosen mbi 440 firma. Një deputet ka pak më shumë 3 veta që i shërbejnë.
Shpenzimet e tejfryra të Kuvendit të Shqipërisë janë më shumë sesa grantet që marrin së bashku qarqet e Beratit, Fierit, Tiranës, Elbasanit, Korçës Kukësit, Shkodrës, Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Dibrës dhe Lezhës. Të 12 këto qarqe së bashku marrin nga buxheti i shtetit pak më shumë se 13 milionë dollarë së bashku në formën e granteve.
G. Shqip
Shtuar më 12/11/2007, ora 15:52
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori