“Ika me lot në sy”, Esmeralda kujton momentet e hidhura kur u nda nga vajza vetëm 8 muajshe

Esmeralda është martuar në moshë fare të re dhe pasi është bërë nënë në moshën 18-vjeçare ajo së bashku me bashkëshortin e saj, të detyruar nga varfëria dhe papunësia, u larguan për në Angli, por pa mundur të merrnin me vete vajzën e tyre Samantën.

Atë e mori nën kujdes familja e bashkëshortit të saj të cilët jetonin të gjithë së bashku në një shtëpi shumë të vogël. Duke qenë se ishin pa dokumente ata nuk mundë të vinin e të takonin vajzën e tyre. Në Angli, ajo tregon se është bërë nënë edhe e 4 fëmijëve të tjerë, por megjithatë mendjen e ka pas te Samanta dhe sapo arritën të bëjnë dokumentet kanë ardhur të gjithë së bashku për ta takuar.

Esmeralda ka treguar në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”,  se sa e vështirë ka qenë për të të largohej duke lënë vajzën 8 muajshe në shtëpi, e cila në atë kohë ka qenë ende duke pirë gji, por nuk kishin asnjë zgjidhje tjetër.

Ardit Gjebrea: Më trego pak momentet kur morët këtë vendim dhe si ishte ndarja me Samantën.

Esmeralda: Burri tha, tani kemi një rrugë, o do ikim të dy bashkë, ose ti do qëndrosh dhe unë do shkoj andej, por nuk i dihet se sa mund të rri. Vjehrra tha ti do marrësh nusen, vajzën do e mbaj unë, ju shkoni, ndoshta del ndonjë mundësi pastaj dhe e merrni.

Ardit Gjebrea: Si ishin ato netët e fundit, se Samanta ishte 8 muajshe, e kishe në gji.

Esmeralda: Po ja hoqa gjoksin 3-4 ditë para që të mësohej. Unë me burrin rrinim nga dhoma tjetër dhe vajzën e mbante kunata dhe qante për gjoksin. Gjithë natën ja dëgjoja të qarat. Doja të shkoja ta merrja në krahë, nuk mundesha se kërkonte gjoksin. Kështu kaluan 2-3 ditë, erdhi dita kur do niseshim. Ka qenë më e vështira, sepse vjehrra kishte vajzën në krahë. Në momentet ku do iknim burri nuk e takoi. Vjehrra më tha mos e tako, se ndoshta nuk të ecën se e ke mendjen këtej. Nuk e kam takuar, vajza ka qarë. Kam ikur me lot në sy dhe me mendje mbrapa për vajzën. Gjithmonë për një jetë më të mirë për Samantën, për ne dhe se siç dihet në Shqipëri nuk ka asgjë, as punë asgjë. Gjithsesi shkuam në Angli me shumë vështirësi, por ja arritëm./tvklan.al


Shtuar 1.01.2023 21:58